SHBA-ja dhe Ukraina i kanë vlerësuar si “shumë produktive” bisedimet për paqe të zhvilluara në Gjenevë, duke rënë dakord të vazhdojnë punën intensive për finalizimin e marrëveshjes.

Ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, William B. Taylor, u ka bërë thirrje liderëve perëndimorë të ushtrojnë më shumë presion ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Sipas tij, Putini po përpiqet “t’i lodhë” Ukraina, Evropën dhe SHBA-në për të siguruar një marrëveshje të favorshme për Rusinë.

“Nëse qëndrojmë të vendosur, mund ta detyrojmë të ulet në tryezë – por këtë nuk e kemi bërë ende”, tha ai për BBC Radio 4.

Taylor shtoi se “problemin Putin” presidenti Trump nuk e ka kuptuar plotësisht deri tani.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se bisedimet në Gjenevë kanë sjellë “një sukses vendimtar” për Evropën. Ai njoftoi se çështjet që lidhen me Evropën – përfshirë ndalimin që i ishte vënë Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s – janë hequr nga plani fillestar me 28 pika.

“Kjo është një arritje vendimtare që e siguruam dje”, tha ai për radion publike gjermane Deutschlandfunk.

Wadephul theksoi se çdo marrëveshje “nuk duhet të bëhet përmbi kokat e evropianëve dhe ukrainasve”.

Plani me 28 pika ende nuk është bërë publik në tërësi, as versionet e rishikuara që, sipas SHBA-së, janë dakorduar të dielën.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjatë natës se bisedimet me delegacionin ukrainas kanë qenë “të gjera dhe produktive”.

Sipas administratës amerikane, zyrtarët ukrainas pranuan se “të gjitha shqetësimet kryesore”, përfshirë garancitë e sigurisë dhe sovranitetin politik, “janë adresuar plotësisht” gjatë takimit.

Shtëpia e Bardhë tha se plani ka pësuar “rishikime dhe sqarime”, dhe se Ukraina beson se drafti aktual “përputhet me interesat kombëtare” dhe përmban mekanizma të zbatueshëm për garantimin e sigurisë së saj në afat të shkurtër dhe afat të gjatë.

Të dy palët janë pajtuar të vazhdojnë konsultimet deri në përfundimin e versionit final të marrëveshjes.

Deklarata pasoi komentet e sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, i cili tha se është arritur “përparim i jashtëzakonshëm”.

Ndërkohë që bisedimet po zhvilloheshin në Gjenevë, sulmet ruse në Ukrainë kanë vazhduar.

Dronët rusë goditën qytetin lindor të Kharkivit të dielën. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, katër persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur.

“Kushtet janë tmerrësisht të rënda kur, pavarësisht negociatave, trupat ruse sulmojnë objekte civile, infrastrukturë dhe banesa. Kur njerëzit po vdesin – kjo është një tmerr,” shkroi kryetari i qytetit, Igor Terekhov, në Telegram.