Shtetet e Bashkuara duan që Irani të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe të zotohet se do të ndalojë së qëlluari ndaj anijeve tregtare, si pjesë e negociatave që pritet të mbahen të shtunën në Oman.
Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportojnë se Teherani ua kishte pranuar privatisht këshilltarëve të presidentit Donald Trump se të shtënat ndaj anijeve ishin një gabim, megjithëse iranianët thuhet se ia kanë atribuuar përgjegjësinë një grupi të pabindur brenda vendit.
Trump ka thënë se të dyja palët janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet, pavarësisht luftimeve të kësaj jave lidhur me Ngushticën e Hormuzit, të cilat Shtëpia e Bardhë i konsideroi shkelje të armëpushimit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se vendi i tij e kishte “mbajtur fjalën” për armëpushimin, duke deklaruar në X se SHBA-ja e kishte shkelur marrëveshjen.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, sipas së cilës Irani, ndër të tjera, do të garantonte kalim të sigurt për anijet tregtare.
Teherani ka thënë se një grup “i pabindur” i radikalëve po përpiqej të minonte negociatat duke qëlluar ndaj anijeve tregtare, u kanë thënë zyrtarë të lartë amerikanë CBS News, partnerit amerikan të BBC-së.
Një zyrtar i tha televizionit: “Ata [iranianët] u kthyen në tryezë dhe thanë: ‘E prishëm. Bëmë një gabim. Le të vazhdojmë bisedimet’”.
Nënpresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe dy persona të përfshirë ngushtë në bisedimet për Lindjen e Mesme – i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner – pritet të udhëheqin negociatat e së shtunës.
Në bisedime pritet të marrë pjesë edhe Araqchi.
Në një konferencë për gazetarë të premten, zyrtarët amerikanë thanë se udhëheqjes së Teheranit, përmes ndërmjetësuesve rajonalë, i ishte përcjellë një mesazh që kërkonte nga Irani të publikonte një deklaratë se ngushtica është e hapur dhe se do të ndalojë së qëlluari ndaj anijeve tregtare, sipas raportimeve të disa mediave.
“Ata ose do të na e japin atë deklaratë, ose nuk do të ketë një rezultat të mirë për ta”, citohet të ketë thënë një zyrtar për agjencinë Reuters.
Sipas CBS-it, Shtëpia e Bardhë gjithashtu dëshiron që Irani të pranojë publikisht se të shtënat ndaj anijeve ishin një gabim.
Ndërkohë, një delegacion nga Katari udhëtoi të premten drejt Iranit për bisedime që synojnë uljen e tensioneve dhe lehtësimin e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Trump shkroi më herët të premten në Truth Social: “Republika Islamike e Iranit na ka kërkuar të vazhdojmë ‘bisedimet’.
Ne kemi pranuar ta bëjmë këtë, por Shtetet e Bashkuara ua kanë bërë të qartë, pa asnjë mëdyshje, se armëpushimi KA PËRFUNDUAR!”.
Në orët e para të së shtunës, Trump reagoi gjithashtu ndaj raportimeve se Irani kishte plane për ta vrarë atë.
Duke shkruar në Truth Social, ai tha se ushtria amerikane do t’i “shkatërronte dhe asgjësonte plotësisht të gjitha zonat” e vendit, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të tillë.
The Wall Street Journal dhe media të tjera amerikane raportuan këtë javë se Izraeli kishte ndarë me Uashingtonin informacione të inteligjencës, sipas të cilave Irani kohët e fundit kishte hartuar një plan për vrasjen e presidentit amerikan.
Gjithashtu, pati thirrje të hapura për vdekjen e Trumpit gjatë funeralit të liderit të ndjerë suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Khamenei, i cili u varros këtë javë, u vra në një sulm izraelit ndaj rezidencës së tij në Teheran më 28 shkurt, ditën e parë të luftës së Iranit me SHBA-në dhe Izraelin.
Të premten nuk u raportuan sulme të reja, pasi luftimet shpërthyen në rajonin e Gjirit më herët gjatë kësaj jave, duke shënuar shkëmbimin më të rëndë të zjarrit mes SHBA-së dhe Iranit që nga nënshkrimi i një marrëveshjeje të përkohshme në qershor.