Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e forcave të tyre nga bazat e mbetura në Irak, një proces që përfundon të mërkurën dhe që ka ngritur shqetësime për krijimin e një vakumi të sigurisë.
Tërheqja mund t’u krijojë më shumë hapësirë milicive shiite të mbështetura nga Irani, ndërsa ekzistojnë edhe frikëra se grupi militant Shteti Islamik mund të shfrytëzojë situatën për t’u riorganizuar.
Largimi i forcave amerikane, i cili është përshëndetur si fitore nga Teherani dhe aleatët e tij, ishte dakorduar në vitin 2024 gjatë administratës së presidentit Joe Biden dhe po zbatohet nga administrata e Donald Trumpit, ndërsa SHBA-ja po zhvillon luftë me Iranin.
Tërheqja vjen 23 vjet pas ndërhyrjes së udhëhequr nga SHBA-ja që rrëzoi regjimin e Saddam Husseinit në vitin 2003 dhe u pasua nga vite trazirash e dhune, të cilat përfundimisht krijuan terrenin për ngritjen e Shtetit Islamik.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit u ka bërë thirrje amerikanëve që të votojnë kundër aleatëve të Trumpit në Kongres, ndërsa forcat amerikane po largohen nga Iraku. Gjatë viteve pas rënies së Husseinit, Irani ka forcuar ndikimin e tij në Irak përmes grupeve dhe milicive aleate.
Edhe pse tërheqja e trupave amerikane është përgjithësisht e mirëpritur nga shumë irakianë, disa shprehin shqetësim nëse forcat e sigurisë së vendit, të trajnuara dhe financuara pjesërisht nga SHBA-ja, janë të afta ta mbrojnë vetë vendin.
“Mesimi nga dy dekadat e fundit është se vakumet e sigurisë mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme”, tha Jassim al-Bahadli, analist irakian dhe këshilltar i forcave të sigurisë.
Pas pushtimit të vitit 2003, SHBA-ja e pushtoi Irakun, ndihmoi në instalimin e një qeverie të udhëhequr nga shiitët dhe u përball me një kryengritje të gjatë. Fillimisht luftoi kundër mbështetësve të Saddam Husseinit, ndërsa më pas kundër Al-Kaedës, në kohën kur Iraku u përfshi nga një luftë civile sektare.
Forcat amerikane u tërhoqën nga Iraku në fund të vitit 2011, por u rikthyen më pak se tri vjet më vonë për të ndihmuar forcat irakiane në luftën kundër Shtetit Islamik. Grupi militant kontrolloi territore të mëdha dhe terrorizoi miliona njerëz para se të mposhtej ushtarakisht në periudhën 2014–2017.
Në më shumë se dy dekada luftë në Irak, rreth 4,500 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën. Numri i amerikanëve të vrarë në “Operacionin Liria e Irakut” ishte rreth dy herë më i lartë se në luftën paralele në Afganistan, e cila përfundoi me tërheqjen e SHBA-së në vitin 2021.
Gjatë konfliktit të këtij viti me Iranin, shtatë nga 18 pjesëtarët e ushtrisë amerikane të konfirmuar si të vrarë kanë qenë në Irak. I fundit ishte një rreshter i ushtrisë amerikane, i cili humbi jetën në korrik gjatë shpërthimit të kontrolluar të një droni në një bazë pranë Erbilit.