Departamenti i Shtetit Amerikan ka njoftuar se Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë vendosur që t’i ndajnë edhe 100 milionë dollarë për qytetarët e Turqisë dhe Sirisë, pas tërmetit shkatërrues që i goditi javë me parë të dyja vendet.

Në komunikatën e DASH-it, bëhet ditur se si do të arrijnë këto 100 milonë dollarë te qytetarët e prekur nga tërmeti. Sipas tyre, 50 milionë dollarë i janë ndarë Fondit të Ndihmës Emergjente për Refugjatët dhe Migracionin (ERMA). Dhe 50 milionë të tjera nëpërmjet Departamentit të Shtetit dhe USAID-it.

“Sot Shtetet e Bashkuara po njoftojnë një ndihmë shtesë prej 100 milionë dollarësh në përgjigje të tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri. Presidenti Joe Biden synon të autorizojë 50 milionë dollarë në Fondet e Ndihmës Emergjente për Refugjatët dhe Migracionin (ERMA). Përveç fondeve të ERMA-s, Shtetet e Bashkuara po japin gjithashtu 50 milionë dollarë shtesë në ndihmë humanitare përmes Departamentit të Shtetit dhe USAID-it. Kjo do të sjellë ndihmën e përgjithshme humanitare të SHBA për të mbështetur përgjigjen ndaj tërmetit në 185 milionë dollarë”, thuhet në komunikatën e DASH-it.

Sipas tyre, këto mjete do të përdoren për furnizim me batanije dhe pajise strehuese, medikamente mjekësore, dhe për edukimin e fëmijëve të prekur nga tërmeti.

“Kjo ndihmë humanitare do të synojë popullatat e cenueshme të prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri dhe do të jetë në dispozicion për të mbështetur organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare që ofrojnë ndihmë. Ky njoftim do të përfitojë nga prokurimi dhe shpërndarja e sendeve thelbësore të ndihmës dhe shpëtimit si batanije, dyshekë, pako ushqimore, veshje të ngrohta, tenda dhe materiale strehimi. Ai gjithashtu do të mbështesë mjekësinë dhe shërbimet shëndetësore, përpjekjet për ujë të pastër dhe kanalizime, si dhe programe që mbështesin edukimin e fëmijëve dhe të rinjve të prekur nga ky tërmet tragjik”, ka bërë të ditur tutje DASH-i.

Ata kanë përfunduar duke theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të ofruar ndihmë shpëtimi për zonat e prekura nga tërmeti.