Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar edhe më tej, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe akuzuan Teheranin për një sulm ndaj dy cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump njoftoi rikthimin e bllokadës detare ndaj porteve iraniane.
Sipas autoriteteve të Emirateve, sulmi me raketa lundruese ndaj dy cisternave kombëtare ndodhi të hënën në mbrëmje. Si pasojë, humbi jetën një marinar indian, ndërsa tetë persona të tjerë u plagosën, katër prej tyre rëndë. Mes të plagosurve janë gjashtë shtetas indianë dhe dy ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve e cilësoi sulmin si një “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” që rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, raporton BBC.
Më vonë, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) mori përgjegjësinë për sulmin. Ajo pretendoi se cisternat kishin shpërfillur paralajmërimet, kishin fikur sistemet e navigimit dhe po kalonin në një korridor detar të ndaluar, ndaj u goditën dhe u nxorën jashtë funksionit.
IRGC paralajmëroi se çdo bashkëpunim me “armikun agresor” do të sjellë pasoja dhe do të vonojë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke rritur rrezikun për një krizë energjetike globale.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA-ja do të rikthejë bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe do të vendosë një tarifë prej 20% për çdo ngarkesë që transportohet përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Trumpit, masa do të pengojë anijet iraniane dhe klientët e tyre të përdorin këtë rrugë strategjike, ndërsa vendet e tjera do të kenë qasje të lirë. Ai tha se bllokada hyn në fuqi nga ora 20:00 GMT të martën.
“SHBA-ja do të jetë ‘rojtari i Ngushticës së Hormuzit’”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke shtuar se tarifa prej 20% do të mbulojë kostot e garantimit të sigurisë në këtë korridor detar.
Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka kryer një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane në disa zona, përfshirë Bushehrin, Bandar Abbasin, Chabaharin, Jaskun, Konarakun dhe ishullin Abu Musa.
Sipas CENTCOM-it, sulmet synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit.
Në përgjigje, mediat shtetërore iraniane raportuan se ushtria iraniane ka goditur objektiva ushtarake amerikane në Kuvajt.