SHBA-ja sanksionon tre zyrtarë të Republikës Sërpska

Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar tre zyrtarë, për shkak se kontribuuan në përpjekjet e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për të minuar paqen dhe stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë organizimin dhe mbajtjen e "Ditës së Republikës Sërpska" më 9 janar

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka sanksionuar tre zyrtarë, që, sipas tij, kanë kontribuuar në përpjekjet e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për të minuar paqen dhe stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë, duke organizuar dhe mbajtur “Ditën e Republikës Sërpska” më 9 janar.

Kjo ditë konsiderohet jokushtetuese në Bosnje e Hercegovinë. Sipas Thesarit amerikan, tre individët e sanksionuar kanë ndihmuar përpjekjet e Dodikut për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës, dy institucione kritike që kanë qenë instrumentale për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson.

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës të gjithë ata që synojnë të ndjellin përçarje për të arritur qëllimet e tyre politike në kurriz të popullit të Bosnje Hercegovinës”, ka shtuar ai.

Tre personat e sanksionuar janë: Branisllav Okuka, Jellena Pajiq Bastinac dhe Srebrenka Golliq.

Më 8, 9 dhe 10 janar të vitit 2024, Qeveria e entitetit të Republikës Sërpska organizoi festimet për “Ditën e Republikës Sërpska” në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, që e ka shpallur këtë ditë jokushtetuese, sepse i jep përparësi “trashëgimisë fetare, traditës dhe zakoneve vetëm të popullit serb” dhe në këtë mënyrë shkelet obligimi kushtetues për mosdiskriminim.

Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, kishte deklaruar se shënimi i 9 janarit përfaqësonte “një dështim të qartë dhe të drejtpërdrejtë të zbatimit të vendimeve përfundimtare dhe detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës”. Sipas tij, një shkelje e tillë përbën vepër penale sipas Kodit Penal të shtetit.

Dodik personalisht kishte drejtuar një komitet organizativ për festimet për “Ditën e Republikës Sërpska” në entitetin serb të Bosnjës.

Tre personat e sanksionuar ishin anëtarë të këtij komiteti dhe kishin marrë pjesë në mbledhjen e 27 nëntorit të vitit 2023, ku publikuan aktivitetet që do të mbaheshin për shënimin e kësaj dite, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas Thesarit, me lehtësimin e shënimit të kësaj feste jokushtetuese, këta tre persona me vetëdije kundërshtuan konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të lartë dhe “shfaqën hapur përbuzjen për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit”.

SHBA-ja tha se këto sanksione janë në përgjigje edhe të incidenteve të mëhershme, ku këta zyrtarë ishin përfshirë në aktivitete “që minonin stabilitetin rajonal.

“Këto veprime janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të Qeverisë amerikane për të promovuar paqe, stabilitet dhe qeverisje demokratike e funksionale në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u tha në njoftimin e Thesarit.

Sanksionet parashohim bllokimin e të gjitha pronave dhe interesave që këta persona mund të kenë në SHBA.

Edhe më herët SHBA-ja ka sanksionuar zyrtarë të ndryshëm të entitetit të Republikës Sërpska për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Më 5 janar 2022, Dodik u sanksionua nga SHBA-ja, pasi u tha se ishte përgjegjës dhe ishte përfshirë në kërcënim të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, por edhe për përfshirje në aktivitete korrptive.

Presidenti i Republikës Sërpka është sanksionuar nga SHBA-ja edhe më 2017, për shkak të aktiviteteve që paraqisnin kërcënim dhe pengesë për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika