SHBA-ja u vendos sanksione të korruptuarve të Ballkanit Perëndimor

Departamenti Amerikan i Shtetit -DASH

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shpallur vendosjen e sanksioneve ndaj disa personave në Ballkanin Perëndimor për korrupsion, përfshirë ish-kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski-n, dhe ish-zyrtarë të lartë dhe figura publike në vende të tjera të Ballkanit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përmes Twitter-it, ka thënë se DASH dhe Departamenti i Thesarit (DTHA) kanë ndërmarrë veprime konkrete “për të përcaktuar aktorë në Ballkanin Perëndimor për aktivitete destabilizuese dhe korruptive”.

“SHBA dhe partnerët si Britania e Madhe po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”, ka shkruar Blinken.

Në një deklaratë, nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson ka thënë se “Njerëzit që janë të përfshi në listën e SHBA-ve, përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin institucional dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të drejtë në Ballkanin Perëndimor”.

Lista e SHBA-ve përbëhet nga ish-zyrtarë të korruptuar dhe se “Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike në të dy vendet dhe gërryen besimin e publikut në qeveritë e tyre”, është shprehur në një konferencë për media, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Shënjestër e sanksioneve të SHBA-ve është edhe ish-deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmenin Ylli Ndroqi nga Shqipëria, dhe sipas DASH, krimi i organizuar mbetet një kërcënim i lartë për Shqipërinë.

“Aktorët kriminalë mbeten me ndikim në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë për të kanalizuar mbështetjen për kandidatët e preferuar”.

“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka një ndikim dëmtues dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”, thuhet nga Departamenti i Thesarit, duke shtuar se grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune ose favore në këmbim të votave për partinë e tyre politike të preferuar.

Aqif Rakipi

“Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup të Krimit të Organizuar, brenda së cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe korrupsionin. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në postet kryesore publike në Elbasan dhe Tiranë”.

Ndërsa lidhur me biznesmenin Ylli Ndroqi, Departamenti i Thesarit amerikan ka thënë se ai është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale.

“Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që dikur i ka pasur nën kontroll për të ushtruar shantazh ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të ndalimit të publikimit të njoftimeve negative në media”, thuhet në njoftimin të DTHA-së, duke shtuar se Ndroqi ishte përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion.

Ylli Ndroqi

“Ndërsa këta individë mund të kenë arritur t’i shmangen drejtësisë në vendet e tyre, ata nuk do të jenë më të lirë të bëjnë biznes me Shtetet e Bashkuara ose me sistemin financiar ndërkombëtar. Si rezultat i veprimeve të sotme, të gjithë individët e caktuar do të bllokohen nga marrëdhëniet me individët dhe bizneset amerikane”, ka thënë në konferencë për media një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit.

Ndërsa sa i përket Maqedonisë së Veriut, në njoftimin e DASH-it thuhet se në cilësinë e tij zyrtare si kryeministër, Nikola Gruevski ishte i përfshirë në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale.

“Në mënyrë të veçantë, ka informacione të besueshme se Gruevski shpërdoroi detyrën duke kërkuar dhe pranuar ryshfet në këmbim të kontratave qeveritare, shpërdoroi fondet publike dhe ndërhyri në proceset zgjedhore për të përfituar politikisht ai vetë dhe partia e tij”.

Nikola Gruevski

Veprimet e SHBA-ve nuk kanë për qëllim të përçojnë një mesazh politik apo “të mbështesin ndonjë alternativë politike, por sipas tyre kjo ka të bëjë vetëm me korrupsionin e identifikuar dhe të vërtetuar dhe se SHBA-të “do të vazhdojmë ta bëjmë të punojmë me qeveritë në rajon për t’u siguruar që edhe ato luftojnë korrupsionin brenda vendit”.

Në listën e DASH-së për korrupcion është i përfshirë edhe ish-drejtori i Departamentit për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, Sasho Mijalkov si dhe ish-prokurorja Gordana Tadiç nga zyra e kryeprokurorit në Bosnje Hercegovinë (BeH), Svetozar Maroviç, ish-president i Serbisë dhe Malit të Zi para se Mali i Zi të shkëputej nga Serbia, përcjell Zëri i Amerikës.

Svetozar Maroviç

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika