SHBA-ja urdhëron ambasadat të luftojnë propagandën e huaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë udhëzuar çdo ambasadë dhe konsullatë amerikane në mbarë botën të nisin fushata të koordinuara kundër propagandës së huaj dhe të përdorin platformën, X (ish-Twitter), si një mjet “inovativ” për ta kundërshtuar atë. Sipas një kabllogrami diplomatik, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, të siguruar nga gazeta The […]
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë udhëzuar çdo ambasadë dhe konsullatë amerikane në mbarë botën të nisin fushata të koordinuara kundër propagandës së huaj dhe të përdorin platformën, X (ish-Twitter), si një mjet “inovativ” për ta kundërshtuar atë.
Sipas një kabllogrami diplomatik, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, të siguruar nga gazeta The Guardian, thuhet se ambasadat dhe konsullatat gjithashtu sugjerohen të bashkëpunojnë me njësinë ushtarake amerikane për operacione psikologjike për të adresuar atë që SHBA-ja e konsideron si dezinformim të përhapur.
Dokumenti paraqet udhëzime të gjera për mënyrën se si personeli diplomatik duhet të kundërshtojë, sipas SHBA-së, përpjekjet e koordinuara të shteteve të huaja për të minuar interesat amerikane në botë, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.
Ky udhëzim vjen në një kohë kur SHBA-ja është në konflikt me Iranin, qeveria e të cilit prej dekadash operon një nga aparatet më të sofistikuara të propagandës shtetërore në botë, ndërsa Rusia dhe Kina vazhdojnë të zhvillojnë operacione ndikimi në Evropë, Azi dhe Amerikën Latine.
Kabllogrami u kërkon ambasadave të ndjekin pesë objektiva kryesorë: kundërshtimin e mesazheve armiqësore, zgjerimin e qasjes në informacion, ekspozimin e veprimeve të kundërshtarëve, fuqizimin e zërave lokalë pro interesave amerikane dhe promovimin e asaj që e quan “tregimi i historisë së Amerikës”.
Ambasadat udhëzohen gjithashtu të rekrutojnë influencues lokalë, akademikë dhe liderë që merren me komunitetet për të përhapur mesazhe kundër-propagande, me qëllim që narrativat e mbështetura nga SHBA-ja të perceptohen si lokale dhe jo të imponuara nga jashtë.
Kabllogrami thekson se “këto fushata synojnë të zhvendosin fajin te Shtetet e Bashkuara, të nxisin përçarje mes aleatëve dhe të promovojnë botëkuptime alternative që bien ndesh me interesat amerikane”.
Në mënyrë të veçantë, dokumenti udhëzon që zyrat diplomatike të bashkëpunojnë me “Departamentin e Luftës – Operacionet e Mbështetjes së Informacionit Psikologjik”, një njësi ushtarake e njohur më parë si MISO (Military Information Support Operations) ose PSYOP (Psychological Operations), pjesë e Pentagonit.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së deklaroi për The Guardian se Sarah B. Rogers, nënsekretare për diplomaci publike e nominuar në mars, e ka bërë prioritet luftimin e propagandës “anti-amerikane”, dhe se departamenti do të përdorë “të gjitha mjetet diplomatike”.
Zëdhënësi nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve mbi rekomandimin për përdorimin e platformës X apo bashkëpunimin me njësitë ushtarake të operacioneve psikologjike.
Departamenti përmendi gjithashtu një raport të mëparshëm të Sarah B. Rogers drejtuar Kongresit, ku organizata si “Code Pink” dhe grupe të tjera aktiviste të majta përmenden si kanale të ndikimit kinez në SHBA.
Sipas raportit, nuk është e zakonshme që diplomacia publike të kombinohet hapur me operacione psikologjike ushtarake, megjithëse përpjekje të ngjashme kundër dezinformimit kanë ekzistuar më herët përmes Qendrës Globale të Angazhimit (Global Engagement Center – GEC), e cila u financua deri para rikthimit të Donald Trump në pushtet dhe më pas u mbyll.
Kabllogrami gjithashtu thekson se platforma X e Elon Musk, veçanërisht funksioni “Community Notes”, shihet si një mjet “inovativ” dhe “i hapur” për të luftuar dezinformimin pa kufizuar lirinë e shprehjes.
Ky vlerësim vjen ndërkohë që Bashkimi Evropian ka gjobitur X me 120 milionë euro sipas Ligjit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act) dhe ka hapur hetime të tjera për algoritmet dhe mjetet e inteligjencës artificiale të platformës.
Kabllogrami udhëzon gjithashtu ambasadat të rrisin dukshmërinë e ndihmës amerikane përmes branding-ut me flamur amerikan, në mënyrë që publiku lokal të identifikojë qartë burimin e ndihmës.
Po ashtu, zyrat diplomatike duhet të zgjerojnë shpërndarjen e lajmeve ndërkombëtare dhe analizave të pavarura të përkthyera në gjuhë lokale, duke i kthyer ambasadat në qendra shpërndarjeje të informacionit në vende ku, sipas dokumentit, propaganda anti-amerikane është e përhapur.
Më shumë se 700 qendra kulturore amerikane, të njohura si “American Spaces”, do të riorganizohen për të shërbyer si platforma për informacion të lirë dhe do të promovohen si “zona të lirisë së shprehjes”.















