Ushtria amerikane kreu të premten sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmit që Teherani ndërmori të enjten ndaj një anijeje tregtare pranë kësaj rruge strategjike detare, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).
“Avionët amerikanë goditën depo të raketave dhe dronëve iranianë, si dhe pozicione të radarëve bregdetarë,” thuhet në deklaratën e CENTCOM. “Agresioni i pajustifikuar ndaj transportit tregtar nga forcat iraniane përbën një shkelje të qartë të armëpushimit.”
CENTCOM publikoi të premten në mbrëmje edhe pamje video nga një prej sulmeve ndaj objektivave iraniane.
Megjithatë, një zyrtar amerikan i tha CNN se këto sulme nuk nënkuptojnë rikthimin e operacioneve të gjera luftarake, të paktën për momentin.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se ka goditur pozicione ushtarake amerikane në rajon si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së, raportoi televizioni shtetëror iranian Press TV. Ushtria amerikane nuk i ka konfirmuar këto pretendime.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, i cili kishte një rol kyç në negociatat që çuan në marrëveshjen e armëpushimit me Iranin javën e kaluar, paralajmëroi se “dhuna do të përballet me dhunë”.
“Irani nënshkroi një marrëveshje armëpushimi. Ne e kemi respektuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për mënyrën se si po zbatohet memorandumi i mirëkuptimit, mund të na telefonojnë. Por dhuna do të përballet me dhunë,” shkroi ai në platformën X.
Sulmet amerikane erdhën pasi presidenti Donald Trump e quajti sulmin iranian me dron ndaj anijes një “shkelje të pamatur” të marrëveshjes për armëpushim, por pa treguar nëse incidenti do të çonte në rifillimin e konfliktit në shkallë të gjerë.
I pyetur të premten nëse Irani do të përballej me pasoja, Trump u përgjigj shkurt: “Do ta shihni.”
Presidenti reagoi fillimisht të premten në mëngjes, disa orë pas sulmit, përmes rrjetit Truth Social.
“Republika Islamike e Iranit lëshoi të paktën katër dronë vetëvrasës ndaj anijeve që po kalonin në Ngushticën e Hormuzit. Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transporti,” shkroi ai.
“Anija pësoi dëme, por vazhdoi lundrimin. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë. Kjo është qartazi një shkelje e pamatur e marrëveshjes sonë të armëpushimit,” shtoi Trump.
Më vonë gjatë ditës, ai deklaroi se incidenti tregonte se Irani ende ruan një pjesë të kapaciteteve të tij ushtarake, pavarësisht luftës disa mujore me SHBA-në.
“Ne ende kemi një përballje. Ata kanë disa kapacitete, jo shumë. Nuk po fitojnë, por ende mund të qëllojnë,” tha Trump gjatë një takimi me një grup të krishterësh konservatorë në Uashington.
“Askush nuk e pa të vinte këtë sulm. Goditi një anije dhe shkaktoi dëme. Nuk mund të bëjnë gjëra të tilla,” shtoi ai.
Gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale, Trump nuk pranoi të tregonte se si do të përgjigjej SHBA-ja ndaj incidentit.
“Nuk më pëlqeu fakti që qëlluan dje. Nuk ishte një anije aleate, por ishte një anije. Shumë e shtrenjtë. Pësoi disa dëmtime dhe kjo nuk duhet të ndodhë,” tha ai.
Kur gazetarët e pyetën sërish nëse SHBA-ja do të kundërpërgjigjej, Trump u përgjigj vetëm: “Do ta merrni vesh,” dhe më pas ndërpreu konferencën.
Sulmi ndaj anijes ishte incidenti i parë që nga nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit për rihapjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe nisjen e negociatave më të thelluara mbi programin bërthamor iranian.
Trump ka dhënë pak sinjale se është i gatshëm të rifillojë luftën, duke pranuar javën e kaluar se një konflikt i zgjatur mund të kishte shkaktuar “katastrofë ekonomike”.