SHBA paralajmëron Iranin: Do ta “asfiksojmë” regjimin përmes sanksioneve

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë ta “asfiksojnë” regjimin iranian përmes sanksioneve, duke u bërë thirrje vendeve aleate dhe kundërshtare që të ndërpresin tregtinë me Teheranin.

Në një intervistë për Fox News, Bessent u pyet lidhur me raportimet se Rusia po e mbështet Iranin. Ai tha se mesazhi i SHBA-së për “të gjithë” është që të qëndrojnë larg Iranit.

“Mënyra më e shpejtë që konflikti të përfundojë është që askush të mos i ofrojë mbështetje këtij regjimi”, tha Bessent.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka deklaruar për CNBC se të hënën përmes Ngushticës së Hormuzit janë transportuar më shumë se 17 milionë fuçi naftë në ditë, shifra më e lartë që nga fillimi i luftës me Iranin në fund të shkurtit.

Wright tha se Irani po e humb aftësinë për ta “mbajtur peng ekonominë botërore”, ndërsa shtoi se ushtria amerikane po ndihmon anijet cisternë të kalojnë përmes ngushticës, raporton BBC.

Sipas tij, Teherani “po shkakton disa ndërprerje”, por nuk është më në gjendje ta kontrollojë në të njëjtën masë qarkullimin e naftës.

Që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në shkurt, Teherani kryesisht e ka bllokuar Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Të fundit nga rubrika