Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar kryediplomatin kinez, Wang Yi, se do të përballen me pasoja të rënda nëse Pekini i ofron mbështetje materiale Rusisë në pushtimin e Ukrainës, kanë bërë të ditur diplomatët amerikanë.

Takimi i dy zyrtarëve të lartë ndodhi vonë të shtunën në margjinat e një konference globale të sigurisë në Mynih, Gjermani, vetëm disa orë pasi Wang e ka qortuar Uashingtonin si “histerik” në një mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi rrëzimin e balonës së dyshuar të spiunazhit kinez nga ShBA-ja.

Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara qëkur Uashingtoni ka thënë se Kina fluturoi një balonë “spiune” mbi vend, përpara se avionët luftarakë amerikanë ta rrëzonin atë me urdhër të presidentit Joe Biden.

Mosmarrëveshja erdhi gjithashtu në një kohë kur perëndimi po vëzhgon nga afër reagimin e Pekinit ndaj luftës në Ukrainë.

Në një intervistë që do të transmetohej të dielën në mëngjes në NBC News “Meet the Press with Chuck Todd”, Blinken ka deklaruar se ShBA ishte shumë e shqetësuar që Kina po shqyrton ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse për Rusinë, dhe ai ia bëri të qartë Wangit se “do të kishte pasoja të rënda”.

“Ka lloje të ndryshme ndihme vdekjeprurëse që ata të paktën po mendojnë t’i ofrojnë, për të përfshirë armë”, ka thënë Blinken, duke shtuar se Uashingtoni së shpejti do të publikojë më shumë detaje.

Duke folur me gazetarët në një telefonatë informuese, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Kina po përpiqej “ta kishte të dyja mënyrat” duke pretenduar se dëshiron të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin, por në të njëjtën kohë duke ndërmarrë hapa “shqetësues” për të mbështetur pushtimin rus të Ukrainës.

“Sekretari ishte mjaft i hapur në paralajmërimin për implikimet dhe pasojat që Kina i ofron mbështetje materiale Rusisë ose ndihmon Rusinë me evazion sistematik të sanksioneve”, ka thënë zyrtari i lartë, duke folur në kushte anonimiteti, raporton Al Jazeera.

Rusia dhe Kina nënshkruan një partneritet “pa kufij” shkurtin e kaluar, pak para se forcat ruse të pushtonin Ukrainën, dhe lidhjet e tyre ekonomike kanë lulëzuar, ndërsa lidhjet e Moskës me Perëndimin janë tkurrur.

Sipas raportimeve, perëndimi ka qenë i kujdesshëm ndaj përgjigjes së Kinës ndaj luftës së Ukrainës, me disa paralajmërime se një fitore ruse do të ngjyroste veprimet e Kinës ndaj Tajvanit. Kina është përmbajtur nga dënimi i luftës ose duke e quajtur atë një “pushtim”.