SHBA-ja paralajmëron për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, paralajmëroi të dielën për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tha se SHBA-ja po bën përpjekje për kalimin e sigurt për qytetarët amerikanë nga Gaza në Egjipt. Në intervista me emisionet e së dielës në televizionet amerikane, Sullivan tha se Shtetet […]
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, paralajmëroi të dielën për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tha se SHBA-ja po bën përpjekje për kalimin e sigurt për qytetarët amerikanë nga Gaza në Egjipt.
Në intervista me emisionet e së dielës në televizionet amerikane, Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara duan të sigurohen që popullata civile që po largohet nga Gaza të ketë qasje në artikuj ushqimorë, ujë dhe strehim dhe që të arrijnë në zona të sigurta.
“Ekziston rreziku i një përshkallëzimi të këtij konflikti, hapja e një fronti të dytë në veri dhe, sigurisht, përfshirja e Iranit”, tha Sullivan. Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara nga Hezbollahu në Liban, tha ai.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë tha se shumica dërrmuese e popullsisë së Gazës nuk ka asnjë lidhje me Hamasin, duke shtuar se ata “meritojnë dinjitet dhe siguri”.
Ai tha se SHBA-ja nuk po ndërhyn në planifikimin ushtarak të Izraelit, por po e vë theksin publikisht dhe në biseda private te ligji ndërkombëtar rreth luftës dhe te nevoja që Izraeli të respektojë të drejtat demokratike./VOA















