ShBA për bombardimet në Serbi: Përdorimi i forcës nga NATO ishte i domosdoshëm dhe legjitim

Bombardimet e NATO-s, në Serbi

Në 24-vjetorin e sulmeve të NATO-s në Serbi, ka reaguar edhe misioni i SHBA-së në OSBE, që përfaqëson interesat e ShBA-së në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Aty thuhet se përdorimi i forcës nga NATO ishte i domosdoshëm dhe legjitim, dhe se kjo është bërë për shkak të mijëra të vrarëve, të dëbuarve nga Kosova nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

“Përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast ishte i domosdoshëm dhe legjitim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësimet e tij për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kujtoni qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur për shkak të dhunës së regjimit etnonacionalist të Millosheviqit dhe forcave të tij”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se ndërhyrja e NATO-s në Serbi erdhi pasi u shterën të gjitha rrugët diplomatike.

“Njëzet e katër vjet më parë, NATO nisi Operacionin Forcat Aleate për t’i dhënë fund një dekade gjakderdhjeje në Ballkan. Kjo ndërhyrje erdhi vetëm pasi kishte shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund një fushate brutale të spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet aty.

Tutje, aty thuhet se është detyrë e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që të ofrojnë akses të plotë në drejtësi dhe informacion për viktimat dhe fatin e familjarëve të tyre.

“Është detyrë e qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të sigurojnë që të gjitha viktimat dhe familjet e tyre të kenë akses të plotë në drejtësi dhe informacion për fatin e të dashurve të tyre. Ne u bëjmë thirrje të dyja qeverive që të mbështesin përpjekjet për drejtësi dhe llogaridhënie, duke përfshirë edhe shprehjen kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në këtë reagim shprehet keqardhje për jetët e humbura gjatë viteve 1990, duke përfshirë edhe ata që humbën jetën gjatë intervenimit të NATO-s.

Por, në komunikatë po ashtu thuhet se nuk duhet të harrohet si filloi konflikti dhe pse.

“Ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të pafajshëm, përfshirë ata që humbën jetën gjatë Operacionit të Forcave Aleate. Kur vizitoi Beogradin në vitin 2016, presidenti Biden shprehu ngushëllimet e tij personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. Dhe shtoj ngushëllimet e mia të përzemërta edhe sot. Megjithatë, nuk duhet harruar asnjëherë se si filloi ky konflikt dhe pse”, thuhet në komunikatë.

Në fund thuhet se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht një të ardhme demokratike, të begatë dhe paqësore për Ballkanin Perëndimor dhe mirëpret marrëveshjen e arritur nga Kosova dhe Serbia, përmes lehtësimit të Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve.

“Siç tha Sekretari Blinken, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit në ndjekje të një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e qeverisjes demokratike, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika