SHBA përgëzon Fiona Papajorgjin për emërimin në krye të Gjykatës Kushtetuese

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas emërimit të Fiona Papajorgjit në krye të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Përmes një deklarate zyrtare, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, ka uruar Papajorgjin për detyrën e re, duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme amerikane për forcimin e sundimit të ligjit në vend.

“Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe diskutoi mënyrën se si mbështetja afatgjatë e Shteteve të Bashkuara për institucionet e sundimit të ligjit në Shqipëri avancon prioritetet e Presidentit Trump, përfshirë çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Në deklaratë theksohet gjithashtu rëndësia e Gjykatës Kushtetuese në funksionimin e shtetit ligjor dhe garantimin e drejtësisë.

“Gjykata Kushtetuese ka një rol thelbësor në sigurimin e drejtësisë për qytetarët e Shqipërisë, në vënien para përgjegjësisë të shkelësve të ligjit dhe në ruajtjen e një sistemi ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, që krijon kushte të favorshme për zhvillimin e bizneseve amerikane”, thuhet më tej në deklaratë.

Të fundit nga rubrika