SHBA-ja sanksionon ish-drejtorin e prokurimit në Ministrinë e Tregtisë, Nexhat Krasniqi
Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e tij, Aulona dhe Olti Krasniqi, […]
Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.
Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e tij, Aulona dhe Olti Krasniqi, të cilëve po ashtu u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Vendosja e sanksioneve, sipas njoftimit nga DASH-i, vjen si rezultat i akuzave për korrupsion të madh. Ai akuzohet për pranimin e ryshfetit në këmbim të dhënies së një kontrate për ndërtimin e një parku industrial në komunën e Drenasit nga kompania “Eltoni”.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, thuhet në njoftim.
Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.
“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”, thuhet tutje në njoftim.















