Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë hipur në një anije që transportonte naftë nga Irani në Oqeanin Indian, në kuadër të operacioneve për zbatimin e sanksioneve.
Sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, bëhet fjalë për anijen e sanksionuar pa shtetësi “M/T Majestic X”, ndaj së cilës është kryer një operacion ndalimi dhe kontrolli detar.
Autoritetet amerikane theksuan se do të vazhdojnë të ndërhyjnë ndaj anijeve që dyshohen se ofrojnë mbështetje materiale për Iranin, kudo që ato operojnë.
Ky operacion vjen në vazhdën e bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit, gjatë së cilës SHBA ka ndaluar dhjetëra anije, jo vetëm pranë Iranit, por edhe në zona më të largëta si Oqeani Indian, raporton BBC.
Pak ditë më parë, forcat amerikane kishin ndaluar edhe një tjetër anije të sanksionuar, “M/T Tifani”, në rajonin Indo-Paqësor.
Ndërkohë, zëvendëskryetari i parlamentit të Iranit ka deklaruar se vendi ka filluar të mbledhë tarifa nga anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, por pa dhënë detaje mbi pagesat apo subjektet që i kanë kryer ato. Kjo deklaratë nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërhyjë ndaj anijeve që paguajnë Iranin për kalimin në këtë rrugë detare strategjike.