Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke theksuar se bllokada e vazhdueshme po dëmton besimin në institucionet shtetërore.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se situata aktuale kërkon përgjegjësi dhe bashkëpunim nga të gjitha forcat politike.
“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, tha zëdhënësi.
Ai theksoi se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”, duke nënvizuar nevojën për stabilitet institucional.
Kriza politike vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht për shkak të dështimit për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues.
Përgjegjësia për situatën vazhdon të mbetet objekt përplasjesh politike. Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare fajësojnë pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe përpjekje për përqendrim të pushtetit.
Në këtë klimë të tensionuar politike, thirrjet ndërkombëtare për dialog dhe bashkëpunim pritet të shtohen, ndërsa vendi përballet me një tjetër proces zgjedhor në një periudhë të shkurtër kohore.