Shtetet e Bashkuara po synojnë të lejojnë dislokime të mëtejshme të trupave dhe avionëve në rajon për të luftuar trafikun e drogës, deklaroi të mërkurën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Gjatë vizitës në Republikën Domenikane – e cila ka autorizuar përkohësisht praninë e elementeve ushtarake amerikane – Hegseth tha se Uashingtoni po shpreson që edhe vende të tjera të pranojnë trupa amerikane në territorin e tyre.

“Ky është një model që shpresojmë ta zgjerojmë me vendet që duan të bashkëpunojnë me ne, për t’u dërguar një mesazh të qartë terroristëve të drogës se po forcojmë aleancat tona për t’i ndalur,” tha ai.

Sipas tij, Republika Domenikane do të vazhdojë të luajë një rol udhëheqës në luftën kundër rrjeteve të trafikut të drogës.

SHBA ka intensifikuar operacionet në Karaibe muajt e fundit, përfshirë goditje ndaj mjeteve të dyshuara të trafikantëve, ku janë raportuar dhjetëra të vrarë.

Uashingtoni fajëson presidentin venezuelian Nicolas Maduro për furnizim me drogë që, sipas tyre, ka shkaktuar vdekje të amerikanëve. Maduro i ka mohuar akuzat, duke thënë se presidenti amerikan Donald Trump synon ta rrëzojë nga pushteti – gjë që Trump e ka mohuar publikisht.

Venezuela u heq licencat gjashtë linjave ajrore ndërkombëtare

Ndërkohë, autoritetet venezueliane kanë revokuar të drejtat e operimit për gjashtë linja të mëdha ajrore ndërkombëtare, pasi këto të fundit pezulluan fluturimet drejt Venezuelës pas një paralajmërimi nga Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA).

Licencat u janë hequr Iberia-s, TAP-it, Avianca-s, Latam Colombia-s, Turkish Airlines dhe Gol. Qeveria e Caracas-it i akuzoi kompanitë se “i janë bashkuar akteve të terrorizmit shtetëror të promovuara nga SHBA”, duke ndërprerë njëanshëm shërbimet.

FAA javën e kaluar paralajmëroi për një “situatë potencialisht të rrezikshme” për fluturimet mbi Venezuelë, për shkak të “përkeqësimit të sigurisë dhe rritjes së aktivitetit ushtarak në dhe përreth” vendit. Caracas reagoi duke thënë se paralajmërimi amerikan nuk ka juridiksion mbi hapësirën ajrore venezueliane.

Pavarësisht ultimatumit 48-orësh të Caracas-it për të rikthyer fluturimet, disa linja ndërkombëtare i kanë anuluar plotësisht shërbimet drejt vendit.