Shtetet e Bashkuara shpallën zyrtarisht katër grupe paraushtarake të lidhura me Iranin si organizata terroriste të huaja (FTO), duke vendosur sanksione shtesë dhe masa mosbashkëpunimi ndaj tyre.

Sipas një deklarate nga Departamenti i Shtetit, grupet në fjalë janë:

Harakat al-Nujaba, Kataib Sajid al-Shuhada, Harakat Ansar Allah al-Awfia dhe Kataib al-Imam Ali.

Të katër këto grupe ishin përcaktuar më herët si Terroristë Globalë të Caktuar Posaçërisht (SDGT).

“Si sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit në botë, Irani vazhdon të ofrojë mbështetje që u mundëson këtyre milicive të planifikojnë, lehtësojnë ose kryejnë drejtpërdrejt sulme në të gjithë Irakun. Grupet e milicisë të lidhura me Iranin kanë kryer sulme ndaj Ambasadës Amerikane në Bagdad dhe bazave ku strehohen forcat amerikane dhe të koalicionit, zakonisht duke përdorur emra të rremë ose grupe të ndërmjetësuara për të fshehur përfshirjen e tyre”, thuhet në deklaratë.

Ky vendim vjen si pjesë e strategjisë së gjerë të përcaktuar nga memorandumi presidencial NSPM-2 për “presion maksimal” mbi Iranin, me qëllim zvogëlimin e aftësisë së tij për të “mbështetur organizatat terroriste” dhe për të destabilizuar rajonin.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur interesat e tyre të sigurisë kombëtare dhe për të mohuar financimin dhe burimet për terroristët”, theksohet në fund të deklaratës.