Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, duke folur për tensionet e fundit në veri të Mitrovicës, ka thënë se është NATO-ja ajo që e garanton sigurinë në Kosovë dhe jo Serbia.

Këto komente, ish-zyrtari i lartë i NATO-s i ka dhënë pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëse NATO-ja nuk e bën punën e vet, Beogradi do të ndërhyjë “për të mbrojtur” serbët në Kosovë.

“Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim”.

Shea shfaq shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës. “Kemi të bëjmë me një luftë diplomatike, e jo luftë ushtarake”, thotë ai, raporton REL.

I pyetur për masat e sigurisë me një shtator, datë në të cilën është paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do t’i implementojë vendimet e saj në lidhje me targat dhe dokumentet hyrje-dalje, Shea ka thënë se KFOR-i i ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe se janë të përgatitur.

“Atje ndodhet KFOR-i. [Mbi] 3.700 trupat e NATO-s në Kosovë janë, padyshim, të vetëdijshme për situatën. Kanë qenë qëkur ka shpërthyer problemi në korrik. Janë vendosur në rrugët kryesore, sidomos në veri, duke mbajtur sytë kah kufijtë dhe duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës. Shpresojmë se nuk do të ketë probleme, nuk do të ketë bllokada në rrugë nga serbët lokalë. Por, jam i sigurt se KFOR-i, duke e ditur afatin e 1 shtatorit, është mirë i përgatitur”, ka deklaruar ai.

Ai shton se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të heqin dorë nga retorika nxitëse. Ai e ka kritikuar presidentin e Serbisë, i cili kishte thënë se kosovarët duan që popullata serbe të largohet nga Kosova.

“Shpresoj, sidomos pas takimit në Bruksel më 18 gusht, të organizuar nga BE-ja, palët [Kosova dhe Serbia] të heqin dorë nga retorika nxitëse. Kam dëgjuar [presidentin serb] Aleksandar Vuçiq të ketë thënë se kosovarët duan që popullata serbe të largohet nga Kosova. Ky është absurditet total. Të gjithë e dimë. Pra, të hiqet dorë nga kjo retorikë, e cila nxeh situatën”, është shprehur ai.

Shea, ka theksuar se me vetë faktin që NATO/KFOR-i, gjendet ende në Kosovë pas 23 vjetëve, tregon që situata ende nuk është stabilizuar plotësisht.

“KFOR-i [misioni paqeruajtës i NATO-s] është ende në Kosovë. NATO-ja ka lënë Afganistanin – edhe pse e di se është një rrëfim tjetër. NATO-ja ka lënë Bosnjën, e cila është dorëzuar te BE-ja, shumë vite më parë. Por, NATO-ja është ende në Kosovë. Natyrisht, nuk i ka më 40.000 trupa, i ka [mbi] 3.700. Por, fakti që janë atje, tregon se situata nuk është stabilizuar dhe normalizuar ende tërësisht. NATO-ja në Bruksel duhet të ketë trupa rezervë, që mund të dërgohen shpejt në Kosovë, në rast të krizës. Duhet të ketë një plan evakuimi, po ashtu”, ka deklaruar Jamie Shea.

Shea e ka cilësuar si vendim të mirë shtimin e pranisë së trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, duke thënë se kjo e shton sigurinë në atë pjesë.