Shefat e Mbrojtjes së NATO-s zotohen për t’i forcuar lidhjet me Ukrainën

Forcat nga Britania, Danimarka, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara po furnizojnë qindra raketa të mbrojtjes ajrore dhe sistemet e tyre të lëshimit në Kiev për t'i ndihmuar Ukrainës. Gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit të ShBA-së, ka vlerësuar përparimin e qëndrueshëm të Ukrainës në këtë konflikt, por ka paralajmëruar se lufta do të vazhdojë për një kohë të gjatë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit Mark Milley, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin dhe Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksii Reznikov në takimin në Bruksel, 15 qershor 2023, foto Reuters.

Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s të enjten janë mbledhur për t’i diskutuar marrëdhëniet me Kievin zyrtar dhe se si do të veprohet në të ardhmen, pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës pengon aspiratat e saj për t’iu bashkuar së shpejti Aleancës më të madhe të sigurisë në botë.

Takimi i rreth 50 vendeve nga Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, të udhëhequr nga ShBA-ja, vjen pasi Ukraina e armatosur me armë perëndimore është sfiduar nga sulmet ruse dhe fushat e minuara rëndë në fazën e hershme të kundërofensive të saj.

Britania, Danimarka, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara thanë se ata po bashkonin forcat për të furnizuar me qindra raketa të mbrojtjes ajrore dhe sistemet e tyre të lëshimit në Kiev, ndërsa vazhdon me shtytjen.

Gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit të ShBA-së, ka thënë se Ukraina “po bën përparim të qëndrueshëm”, por ka paralajmëruar se lufta do të vazhdojë për ca kohë.

“Kjo është një luftë shumë e vështirë,” ka thënë ai. “Është një luftë shumë e dhunshme dhe ka të ngjarë të marrë një kohë të konsiderueshme me një kosto të lartë.”

Sekretari i mbrojtjes së ShBA-së, Lloyd J. Austin III, ka vlerësuar vendosmërinë e Ukrainës dhe udhëheqjen e Danimarkës dhe Holandës, të cilat po organizojnë trajnime për pilotët ukrainas për të fluturuar me F-16 të prodhimit amerikan.

Austin, megjithatë, ka shtuar se do të kalojnë muaj para se pilotët të jenë gati.

Muajin e kaluar, administrata Biden hoqi dorë nga kundërshtimet e saj për t’i dhënë Kievit F-16, avionët luftarakë të avancuar që kishte kërkuar prej kohësh.

“Lufta e Ukrainës është një maratonë dhe jo një sprint”, ka thënë Austin. “Pra, ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës aftësitë urgjente që i duhen për të përmbushur këtë moment, si dhe ato që i nevojiten për të mbajtur veten të sigurt për një afat të gjatë nga agresioni rus. Dhe mos bëni asnjë gabim. Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për një kohë të gjatë”.

Aleatët po punojnë gjithashtu për furnizimin e pjesëve rezervë, municioneve dhe pajisjeve të tjera për t’i mbajtur tanket e prodhimit perëndimor Leopard të ofruara në Ukrainë – të vendosur tashmë si pjesë e kundërofensive – në funksion, ka thënë tutje Austin.

Njoftimi i furnizimit më të fundit të raketave të mbrojtjes ajrore do të ndihmojë Kievin të shmangë “sulmet e pacipë me raketa dhe drone të Rusisë kundër qyteteve ukrainase”, thanë katër aleatët në një deklaratë të përbashkët.

Siç ka raportuar NY Times, Austin ishte në Bruksel për një takim dyditor të ministrave të mbrojtjes së NATO-s, me qëllim përgatitjen për takimin vjetor të samitit të aleancës në Vilnius, Lituani, muajin e ardhshëm.

Ministrat e mbrojtjes së NATO-s planifikojnë të diskutojnë një paketë shumëvjeçare të mbështetjes dhe marrëveshjeve të sigurisë për Ukrainën, si dhe përpjekjet për të forcuar prodhimin e mbrojtjes në të gjithë aleancën për të ndihmuar në adresimin e nevojave të Ukrainës për municione.

Ministrat pritet gjithashtu t’i rishikojnë planet e reja rajonale për ta mbrojtur territorin e NATO-s që sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, pretendoi se mund të vendosë “mbi 300,000 trupa në gatishmëri të lartë”, si pjesë e përpjekjeve të aleancës për të rigjallëruar strategjinë e saj ushtarake.

Takimi vjen mes mosmarrëveshjeve në lidhje me ofertën në pritje të anëtarësimit të Suedisë. Turqia, e cila deri më tani ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë, ka treguar pak lëvizje deri më tani në refuzimin e saj.

Megjithatë, Stoltenberg shprehu optimizëm se Suedia, pasi ka përmbushur kërkesat e Turqisë për të ashpërsuar ligjet e saj për terrorizmin, do të bëhet anëtare në takimin në Vilnius ose menjëherë pas saj.

Samiti do të përfshijë gjithashtu diskutime për një pasardhës të Stoltenberg, por ky proces është i ndërlikuar dhe atij mund t’i kërkohet të qëndrojë në detyrë edhe për disa muaj të tjerë.

Një mundësi kryesore, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka thënë të enjten se ajo nuk ishte më kandidate. Ajo ka thënë se do ta mbështeste Stoltenberg nëse ai do të ishte i gatshëm të zgjaste mandatin e tij.

Sekretari i mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, e ka bërë të qartë se do ta donte punën, por Franca dhe aleatët e tjerë po këmbëngulin që një sekretar i ri i përgjithshëm të vijë nga një vend i Bashkimit Evropian.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika