Shefi i CIA-s në Moskë me paralajmërim: Mos sulmoni vendet anëtare të NATO-s

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka vizituar Moskën këtë javë me qëllim për ta paralajmëruar Rusinë të mos ndërmerrte sulme ndaj vendeve të NATO-s.

Siç shkruan CBS, kjo vizitë ndodhi në një kohë kur vlerësimet e inteligjencës amerikane sugjerojnë se Rusia mund të përpiqet të testojë NATO-n, transmeton Dukagjini.

Ratcliffe gjithashtu ngriti çështjen e Iranit, duke paralajmëruar për sanksione shtesë nëse ngushtica e Hormuzit nuk rihapet për trafikun detar, thanë disa burime për CBS.

Vizita sekrete në kryeqytetin rus u bë publike të martën, pasi një avion i Forcave Ajrore të SHBA-së u pa duke mbërritur në një aeroport të Moskës dhe një autokolonë diplomatike lëvizi nëpër qytet.

CBS News ishte e para që raportoi për vizitën, e cila është vizita e parë e njohur e Ratcliffe në Rusi që nga emërimi i tij si drejtor i CIA-s.

Ukraina ishte njoftuar se një delegacion amerikan do të udhëtonte drejt Moskës dhe iu kërkua të pezullonte sulmet gjatë kohës së vizitës, sipas një zyrtari të lartë ukrainas.

Megjithatë, CIA nuk pranoi të komentojë arsyet e vizitës së Ratcliffe.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e konfirmoi vizitën në Moskë gjatë një interviste të mërkurën, por tha se ajo nuk kishte të bënte me Iranin apo me dëshirën e Rusisë për të testuar NATO-n.

Trump e përshkroi vizitën si “gjysmë-rutinë” teksa shtoi se “diçka mund të dalë” nga vizita e Ratcliffe, duke iu referuar përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se Ratcliffe kishte biseduar me zyrtarë të inteligjencës ruse, por nuk ishte takuar me presidentin Vladimir Putin.

Vlerësimet e fundit të inteligjencës amerikane kanë treguar se Putin mund të jetë i gatshëm të autorizojë veprime provokuese në territorin e NATO-s, përfshirë sulme kibernetike, veprime hibride dhe operacione të tjera që nuk arrijnë deri në nivelin e një aksioni ushtarak konvencional.

CBS News raportoi më herët këtë muaj se qëllimi i mundshëm nuk do të ishte domosdoshmërisht nisja e një lufte, por testimi i unitetit të NATO-s dhe gatishmërisë së administratës Trump për të mbrojtur aleatët e saj.

Një sërë veprimesh të fundit të Rusisë kanë shtuar shqetësimet, thanë zyrtarët, përfshirë inkursionet e dronëve në Rumani, një raketë ruse që kaloi në territorin e Polonisë muajin e kaluar, si dhe rritjen e rasteve të dyshuara të sabotazhit dhe sulmeve kibernetike në Evropë.

Sipas Nenit 5 të traktatit që themeloi NATO-n, vendet anëtare të aleancës pritet të ndihmojnë në mbrojtjen e njëri-tjetrit në rast sulmi teksa SHBA-ja e ka aktivizuar këtë dispozitë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Megjithatë, Trump prej kohësh ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e NATO-s dhe ka kritikuar vendet anëtare për atë që, sipas tij, është kontribut i pamjaftueshëm në mbrojtjen e tyre.

Trump gjithashtu ka bërë publikisht thirrje që Rusia dhe Ukraina t’i japin fund luftës së tyre katërvjeçare, megjithëse përpjekjet diplomatike duket se kanë ngecur.

Ndërkohë, Rusia ka ruajtur partneritetin e saj me Iranin gjatë luftës së SHBA-së me shtetin e Lindjes së Mesme. Sipas raportimeve të CBS News në fillim të këtij viti, Rusia i ka ofruar Iranit informacione të inteligjencës mbi pozicionet amerikane në rajon.

Dy vendet gjithashtu kanë bashkëpunuar prej vitesh në prodhimin e dronëve.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika