Doganat dhe Patrulla Kufitare e SHBA-së ka mbetur pa drejtues, pasi shefi i saj Michael Banks njoftoi dorëheqjen e menjëhershme nga posti që mbante prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpia e Bardhë vitin e kaluar.
Largimi i Banks konsiderohet goditja më e fundit për ekipin e politikave të emigracionit të administratës Trump, pas largimit të sekretares së Sigurisë Kombëtare Kristi Noem dhe dorëheqjes së mëhershme të komandantit të CBP-së, Greg Bovino.
Në një prononcim për Fox News, Banks deklaroi se beson se ka përmbushur misionin e tij në forcimin e sigurisë kufitare.
“Është thjesht koha. Ndjej se e kemi rikthyer situatën nga një kufi kaotik dhe katastrofik në kufirin më të sigurt që ky vend ka parë ndonjëherë”, tha ai.
Në letrën drejtuar stafit, Banks njoftoi se do të tërhiqet nga shërbimi publik për t’u kthyer në Teksas, ku planifikon t’i përkushtohet familjes dhe fermës së tij.
Komisioneri i CBP-së, Rodney Scott, e falënderoi Banks për dekadat e shërbimit në institucionet amerikane të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Banks kishte dhënë dorëheqje edhe gjatë administratës së Joe Biden, për shkak të pakënaqësive me moralin brenda agjencisë dhe kundërshtimeve ndaj politikave të Biden për sigurinë kufitare. Përveç angazhimit në CBP, ai ka shërbyer edhe në Marinën Amerikane dhe në role të tjera të zbatimit të ligjit.
Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë atë në krye të CBP-së.
Gjatë mandatit të dytë të Trump, agjencia është përfshirë në operacione të shumta kundër emigracionit në qytete si Los Angeles, Chicago dhe Minneapolis. Këto operacione kanë ngjallur kritika të forta ndaj administratës, sidomos pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë nga zyrtarë federalë të emigracionit në Minneapolis gjatë muajit janar.