Shefi i EULEX-it: Po e monitorojmë situatën në veri, qëndroni të përmbajtur

Shefi i EULEX-it, ka thënë se në koordinim me policinë po e monitorojnë situatën në veri, pas incidenteve të ndodhura të martën e gjashtë dhjetorit

Lars-Gunnar Wigemark, Shefi i EULEX-it





Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, është shprehur i shqetësuar pas incidenteve të ndodhura të martën e gjashtë dhjetorit në veri të Kosovës, ku persona të maskuar kanë dëmtuar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore duke përdorur mjete të rrezikshme.

Wigemark, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Ai teksa ka theksuar se çdo protestë duhet të jetë paqësore ka bërë thirrje për përmbajtje.

“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur. EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in”, ka shkruar Wigemark.

Ndryshe, në orët e vona të së martës është larguar mjeti shpërthyes, i cili gjendej në këtë objekt.

Një ushtar i KFOR-it ishte futur në objektin e KKZ-së.

Ndërsa, lidhur me mjetin shpërthyes që tashmë është deminuar, zyrtarët policorë në mënyrë jozyrtare, thanë se bëhet fjalë për një granatë që nuk ka qenë e shpërthyer më parë.

Para kësaj, Policia e Kosovës kishte vendosur shirita te zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor të Veriut të Mitrovicës.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se nga shpërthimet, nuk pati të lënduar.

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas tensioneve në Veri të Mitrovicës, duke thënë se shkaktarët e shpërthimeve do të hetohen dhe se Qeveria e Kosovës nuk bën pazare me bandat kriminale.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po u vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë”, ka deklaruar Kurti.

Po ashtu, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se situatat në veri të Mitrovicës eskalojnë për një arsye të vetme, e sipas saj, kjo po bëhet nga bandat kriminale të përkrahura nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Për fat të keq, sikurse në rastet paraprake, situata në Veri eskalon për një arsye të vetme sepse bandat kriminale në veri, të përkrahura nga Vuçiq politikisht e financiarisht, kanë për qëllim eskalimin e situatës, kanë për qëllim destabilizmin e tërë Kosovës dhe rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin perëndimor dhe të realizojnë kështu, agjendat ruso-serbe”, ka deklaruar Osmani.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar qëllimin e këtyre sulmeve, që sipas tij, kanë për synim pengimin e vazhdimit të procesit të përgatitjes për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen më 18 dhjetor të këtij viti.

“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues, ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush”.

Ky tension i situatës në veri vjen pas paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të vendit dhe tentimit të shtetit të Kosovës për organizimin e tyre.

Situata në veri, objekti i KKZ vazhdon të vëzhgohet nga EULEX-i





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika