Shënohet Dita Botërore e Kafshëve- problemi me qentë endacakë ende i pazgjidhur

Të martën e 4 tetorit shënohet Dita Botërore e Kafshëve, ditë kjo që fokusohet në përmirësimin e mirëqenies së kafshëve në mbarë botën përfshirë edhe Kosovën. Por, në vendin tonë rreziku nga qentë endacakë është ende problem i pazgjidhur

Ilustrim





Dita Botërore e Kafshëve festohet çdo vit më 4 tetor, por fillet e saj janë nga 1931 në Firence të Italisë. Në një konventë të ekologjistëve u vendos që kjo ditë të jetë dita botërore e kafshëve

U vendos kështu pasi është dita e Shën Françeskut të Asizit i cili është mbrojtës i kafshëve. Në fillim kjo ditë u festua vetëm në Kombet e Bashkuar, por tashmë Dita Botërore e Kafshëve festohet në gjithë botën, me qëllim që të tërhiqet vëmendja e qeverive dhe qytetarëve lidhur me rëndësinë dhe respektimin e jetës shtazore.

Me rastin e kësaj dite edhe në Prishtinë është bërë një organizim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së bashku me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Organizimi është mbajtur në Pyllin e Arinjve “Prishtina”, afër liqenit të Badovcit.

Edhe pse shënohet kjo ditë dhe mbahen organizime, në vendin tonë ekzistojnë probleme të shumta me kafshët si, braktisja e tyre e pastaj edhe sulmet e tyre ndaj njerëzve.
Në vazhdimësi problem evident është rreziku nga qentë endacakë. Për këtë, komunat dhe qeveria kanë marrë vendime dhe kanë dhënë disa premtime, por ende asnjëra komunë nuk ka ndërtuar një strehimore për qentë endacakë.

Qentë endacakë

Rrugët e qyteteve në Kosovë çdo ditë janë të mbushura me qen endacakë, ndërsa qytetarët ndihen të rrezikuar nga ta.

Një gjë të tillë e ka konstatuar për Portalin Dukagjini edhe Policia e Kosovës, që ka thënë se në vitin paraprak në këtë institucion janë adresuar 89 raste të sulmeve nga qentë endacakë. Ngjashëm qëndron edhe për vitin aktual, pasi sipas Policisë së vendit për periudhën Janar-Mars 2022 janë raportuar 42 raste të sulmeve nga qentë endacakë. Kjo vlen vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, kështu i bie që këtë vit rastet e sulmeve janë më të larta sesa në vitin paraprak.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjini ka treguar se të gjitha veprimet për detyrat dhe përgjegjësitë që kanë të bëjnë me rreziqet nga qentë endacakë, i kryejnë duke iu përmbajtur autorizimeve ligjore.

Por se a po punohet për rregullimin e këtij problemi apo jo, flasin personat kompetentë.

Arlinda Kastrati, asistente për komunikim nga Komuna e Prishtinës, ka treguar se vitin e ardhshëm në bazë të planit buxhetor do të ndërtohen parku dhe strehimorja për qentë endacakë, të cilat parashihen të ndërtohen në zonën e Slivovës.

Arlinda Kastrati, asistente për komunikim nga Komuna e Prishtinës

Sipas Kastratit, ky lokacion do të ketë sipërfaqe prej 10 hektarësh dhe do të realizohet në vitin 2023.

“Ndërtimi i Parkut pritet të fillojë vitin e ardhshëm, lokacioni është në zonën e Slivovës, që do të ketë rreth 10 ha. Komuna e Prishtinës në krye me Përparim Ramën që nga fillimi i vitit ka ndërmarrë shumë hapa për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë”, ka thënë Kastrati për Portalin Dukagjini.

Ndryshe nga Komuna e Prishtinës të cilët e vlerësojnë të mjaftueshëm angazhimin për rregullimin e problemit me qentë endacakë, të njëjtën nuk e kanë thënë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Lamir Thaçi i cili është zyrtar në këtë agjenci ka thënë se nuk ka informacione zyrtare për ndërtimin e strehimores për trajtimin e qenve endacakë.

 

Lamir Thaçi, zyrtar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV)

Tutje, Thaçi për Portalin Dukagjini ka theksuar se Ministria e Financave dhe organizatat e tjera buxhetore duhet të ndajnë mjete shtesë për vitet 2023-2025 dhe të trajtojnë këtë problematikë. Gjithashtu, sipas tij, mandator për trajtimin e qenve endacakë janë komunat e vendit dhe ato duhet të shprehen të gatshme për punën që u takon.

“Secila komunë duhet të angazhohet më shumë në trajtimin e qenve endacakë, duhet të kemi projekte të vazhdueshme në të gjithë komunat e vendit. Nëse nuk kemi qasje gjithëpërfshirëse për këtë problematikë, atëherë nuk mund të zgjidhet problemi i qenve endacakë”, ka deklaruar Thaçi.

Megjithatë, Thaçi ka treguar se qentë endacakë që kapen në rrugë vaksinohen, pasi ata duhet të vaksinohen një herë në jetën e tyre me vaksinën kundër sëmundjes së tërbimit.

I pyetur se si mund të evitohet rreziku nga qentë endacakë, ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të vendit të mbajnë me kujdes qentë e tyre, të mos i lëshojnë në rrugë, pra të mos i braktisin, pasi braktisja e tyre nga pronarët po e rrit këtë problem.

“AUV u bën apel të gjithë qytetarëve të vendit që mbajnë qen, të kenë kujdes, të mos i lëshojnë në rrugë, pra të mos i braktisin. Kjo, sepse burimi i qenve endacakë është braktisja e qenve me pronar”, ka përfunduar Thaçi.

Lidhur me këtë çështje, janë deklaruar edhe nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.  Elza Ramadani, drejtuese në këtë Fondacion, u shpreh se janë në pritje të një strehimoreje humane dhe të qëndrueshme të cilën Komuna e Prishtinës e ka premtuar.

Elza Ramadani, drejtuese e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve

“Jemi në pritje të një strehimoreje humane dhe të qëndrueshme, çdo strehimore tjetër tradicionale që do të menaxhohej vetëm nga institucionet publike, nuk do të jetë e këndshme për kafshët”, ka potencuar Ramadani.

Tutje, sipas Ramadanit problemi qëndron te fakti se komunat dhe shteti nuk mbajnë evidencë për qentë që vaksinohen dhe që duhet të rivaksinohen.

“Shpesh projektet e KSVL (kapje, sterilizim, vaksinim dhe lëshim), janë keqmenaxhuar dhe keqpërdorur”, ka theksuar Ramadani.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve i cili mbron kafshët në mënyrë ligjore dhe institucionale, ka kërkuar më shumë angazhim nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë, duke iu bërë thirrje të shtojnë inspektorët veterinarë për kafshë, pasi sipas drejtueses Ramadani nuk ka ndëshkime dhe inspektime për keqtrajtimin e kafshëve.

“Këto dy institucione duhet të koncentrohen te trajtimi i problemit, siç është braktisja e vazhdueshme e kafshëve dhe mbarështimi i tyre jashtëligjor, pasi këto institucione nuk merren fare me kontrollin e qenve me mbajtës, e nga aty vijnë qentë endacakë”, ka thënë Ramadani.

Elza Ramadani nga ky Fondacion ka thënë se, nëse qentë nuk vaksinohen dhe nuk mirëmbahen, mund të sjellin probleme, por në anën tjetër edhe njerëzit janë agresivë ndaj qenve dhe i traumatizojnë atë duke i bërë edhe më agresivë.

Për këtë arsye, Ramadani ka theksuar nevojën e ndërgjegjësimit dhe vetëdijësimit të qytetarëve lidhur me qasjen ndaj qenve endacakë.

“AUVK, Komuna dhe Ministria duhet të bëjnë më shumë për vetëdijësimin e qytetarëve dhe të promovojnë një qasje pozitive, humane dhe efektive të trajtimit të qenve endacakë edhe nga qytetarët”, ka përfunduar Ramadani.

Vlen të theksohet se në qershor të këtij viti Komuna e Prishtinës, me kryetar Përparim Ramën, ka ndarë 249 mijë euro për të ndërtuar strehimoren për qentë endacakë. Kjo është bërë me bashkëpunimin e Komunës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika