Krusik është vetëm një nga ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes në Serbi që përmendet në deklaratën e Shërbimit Rus të Inteligjencës, në të cilën Serbia akuzohet për aktivitete antiruse, duke furnizuar Ukrainën me municion. Kush luan me zjarrin – tani po nxjerr gështenjat nga zjarri.

A po i qëllon Serbia Rusisë pas shpine në Ukrainë? Sepse Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë doli me një deklaratë me pikërisht këtë titull, ku Serbinë e akuzon hapur dhe ashpër se po furnizon Ukrainën me municion. Theksohet se si mbulesë për aktivitetet antiruse po përdoret një skemë e thjeshtë me certifikata të rreme të përdoruesve përfundimtarë dhe të vendeve ndërmjetëse, ndër të cilat më së shpeshti janë anëtare të NATO-s, para së gjithash Çekia, Polonia dhe Bullgaria, ndërsa kohët e fundit, sipas tyre, edhe vende afrikane.

“Dërgesat e tilla vështirë se mund të justifikohen me ‘arsye humanitare’. Ato kanë një qëllim të qartë – të vrasin dhe sakatojnë personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile të Rusisë. Në ‘zinxhirin e vdekjes’, të organizuar në Serbi – një vend mik i Rusisë – marrin pjesë kompanitë më të mëdha të industrisë ushtarake kombëtare, duke përfshirë ‘Jugoimport SDPR’, ‘Zenitprom’, ‘Krušik’, ‘Sofag’, ‘Rejer DTI’, ‘Sloboda’, ‘Prvi Partizan’ dhe të tjera,” thuhet në raportin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse.

Shërbimi rus i inteligjencës i shkruan këto, ndërsa i përcjell politika ruse – nuk ka dyshim, thotë analisti ushtarak Aleksandar Radić. Rusët, sipas tij, e dinë mirë se Serbia është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e furnizimit të ushtrisë ukrainase me armë dhe pajisje ushtarake raporton N1 përcjell Dukagjini.

“Lista e artikujve që prodhon industria ushtarake serbe, e që gjejnë rrugën për në Ukrainë, është e gjatë – natyrisht me vullnet politik. Dhe kjo, mendoj unë, është thelbi i tekstit të nënshkruar nga shërbimi rus i inteligjencës. Politika ruse dëshiron të tregojë me gisht politikën serbe, sepse nuk mund të eksportosh armë pa një pëlqim shumë të qartë nga kreu i shtetit,” thotë Radić.

Pikërisht për këtë arsye, kreu i shtetit doli në RTS “për të shpjeguar që populli ta kuptojë.”

“Për këtë kam biseduar posaçërisht me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Si në prani të disa anëtarëve nga të dy delegacionet, ashtu edhe në mënyrë private. Nuk do të jap detaje nga bisedat tona. Kemi formuar një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për të përcaktuar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta,” tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.

Krejtësisht në mënyrë jo tipike për një deklaratë të një shërbimi të inteligjencës, në këtë deklaratë rusët shprehin edhe përshtypjen se “prodhuesit serbë të armëve dhe sponsorët e tyre, nga dëshira për të përfituar nga gjaku i popujve vëllazërorë sllavë, e kanë harruar plotësisht se kush janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kush janë armiqtë.”

“Unë nuk dëgjoj askënd tjetër dhe nuk i shërbej askujt tjetër, përveç popullit tim dhe Serbisë sime. Por gjithsesi do të jap urdhër dhe paralajmërim që kudo ku ekziston dyshimi për abuzim me të ashtuquajturin ‘përdorues i fundit’ dhe dërgimin në fushëbetejë, që ta dimë dhe që kontrata të tilla të mos realizohen,” tha Vučić.

“Mendoj se kemi të bëjmë me mashtrim – kjo është krejtësisht e qartë – për një pjesë të opinionit publik që do t’i besojë autoriteteve kur të thonë: ‘Ja, nuk jemi ne fajtorë, dikush tjetër e ka shitur.’ Në procedurën e dhënies së lejes duhet të dorëzohet certifikata e ‘përdoruesit përfundimtar’ dhe ajo është garancia e shtetit blerës se ajo pajisje do të mbetet në duart e tij dhe nuk do të eksportohet përsëri. Serbia, në shumë raste, është furnizuesi i vetëm, ose të paktën furnizues i rëndësishëm i shumë pajisjeve që ushtria ukrainase i blen në tregun ndërkombëtar,” tha Radić.

Dhe ndoshta shërbimet ruse nuk e dëgjuan topin zanor në Serbi, por në terrenin e tyre duket se dëgjojnë mirë dhe shohin mirë.