Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka shfuqizuar vendimin për largimin e mbishkrimit “I love Mitrovica”, të cilin e kishte marrë në mbledhjen e kaluar.
Shfuqizimi i këtij dokumenti u bë për shkak se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal për largimin e mbishkrimit është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Kështu tha Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozaq, duke theksuar se “janë të obliguar ta bënin këtë veprim, përndryshe procesi do të iniciohej në gjykatën kompetente”.
Ani pse votuan për shfuqizimin e këtij vendimi, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, anëtarët e Listës Serbe dhe të iniciativës qytetare “Veriu për të gjithë”, vazhduan ta përkrahnin largimin e tij, raporton Kallxo.
Madje Kryetari i kësaj komune, Millan Radojeviq tha se një gjë e tillë [largimi] do të arrihet një ditë.
Vendimi që të largohet mbishkrimi “I love Mitrovica” ishte miratuar në seancën e mbajtur më 25.05.2026.
Më pas, MPAL kishte konstatuar se ka shkelje procedurale gjatë procesit të miratimit të vendimit.
Në arsyetimin e Ministrisë thuhej se anëtarët e Kuvendit nuk janë njoftuar me materialet e rendit të ditës sipas afatit ligjor prej 7 ditësh pune, siç përcakton Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.
Më 05.06.2026, Policia e Kosovës u kishte shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm dy personave të arrestuar në Mitrovicë të Veriut, kryetarit të Komunës, Millan Radojeviq dhe Nemanja Bishevac, ish-kryetarit të Kuvendit Komunal.
Serbët duan ta heqin simbolin që e vendosi Erden Atiqi në Veri, ai thotë se nuk do ta lejojë