Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të të reshurave të shiut një pjesë e magjistrales Ferizaj- Prishtinë është vështirësuar për kalim dhe disa pjesë janë bërë të pakalueshme.

“Ju njoftojmë se si pasojë e të reshurave të shumta të shiut dhe grumbullimit të ujit, rruga magjistrale Ferizaj-Prishtinë, nga fshati Muhovc (afër pikës së karburantit “Euromiti”), e deri në afërsi të fshatit Babush të Ferizajt, drejtimi i Prishtinës është vështirësuar për qarkullim të automjeteve, ndërsa në disa vende është bërë e pakalueshme”, thuhet në njoftim.

Policia ka kërkuar nga qytetarët ta përdorin si alternativë autostradën “Arbën Xahferi”.

“Lusim qytetarët / shoferët e automjeteve që të përdorin rrugët alternative, autostradën ‘Arbën Xhaferi’, apo rrugët tjera, përmes qytetit të Lipjanit dhe Shtimës, në mënyrë që t’i shmangen ndonjë bllokimi të tyre, deri në lirimin e plotë të rrugës”

Sipas njoftimit, Policia rajonale e Ferizajt është në të dyja anët e rrugës magjistrale Ferizaj-Prishtinë dhe po orienton komunikacionin.

“Për gjendjen e krijuar në këtë relacion janë njoftuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes kompania për mirëmbajtjen e rrugëve dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës të komunës së Ferizajt, ndërsa është njoftuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës” thuhet në njoftim.

Për informata të tjera, deri në lirimin e rrugës për qarkullim të automjeteve, Policia thotë se do të njoftoheni me kohë.

“Ndërsa, për çdo rast lusim qytetarët të njoftoni Policinë rajonale të Ferizajt në numrat kujdestarë : 192 , 0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në njoftim.