Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se tashmë ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës 11 punonjësve të kësaj ministrie, të cilët ishin anëtarë të shërbimit të jashtëm.
Përmes një komunikate për media, ministria ka njoftuar se ky shkarkim është bërë të mërkurën e 16 marsit.
Nga ky njoftim bëhet e ditur se vendimi është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën.
Po ashtu, ministria ka njoftuar se personat e liruar nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës.
“Personat e liruar nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Sipas ministrisë, ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare.
“Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”, vijon njoftimi.
Ndërkaq, në njoftim theksohet se ministria po shqyrton edhe masa që duhen ndërmarrë për zyrtarët përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të shkarkuar.
Ndërkohë, në maj të vitit 2021, MPJD kishte liruar nga detyra 13 ambasadorë politikë.
Kjo ministri, i kishte propozuar presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani, të lirojë nga detyra dhe të tërheqë nga misioni diplomatik të gjithë ambasadorët e Kosovës, të cilët ishin të emrëuar politikisht.