I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës ka aderuar disa kritika të ashpra ndaj kryeministrit të vendit Albin Kurti.

Kurti në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka listuar të arriturat e Qeverisë së Kosovës përgjatë punës dyvjeçare të saj, ndërsa Haradinaj ka kërkuar largimin e tij nga posti.

Sipas Haradinajt, prej që ka ardhur në krye të Qeverisë Kurti, asnjë qytetar i Kosovës “nuk ia ka pa hajrin”.

“Mos harroni se asnjë vend nuk i nënshtrohet një njeri, e kam dëgjuar prej teje këtë kryeministër. Dikur i ke thanë Hashim Thaçit, në këtë foltore, shko Hashim. Shko se kjo, shko se ajo. Ta deshti puna shkoi Hashimi, çka është më mirë në qet Kosovën tonë? Prej që ke ardhë ti unë nuk po shoh që dikush ka pa hajr prej teje. Nuk e di një kategori apo një shtresë që ta ka pa hajrin. Edhe unë po te them shko Albin, se nuk ia ka qet asgjë në dritë në Kosovë. Veç nuk muj me të thanë, shko atje ku janë ata. Shko ku të dush ti, veç shko”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj tha se nuk po mund ta kuptojë Kurtin se pse ia ka marrë inati Kosovës, duke vazhduar ta kritikojë të parin e Qeverisë.

“Mund ta quajmë sukses grumbullim e parasë publike. Se si është zbatuar buxheti më lejoni t’u sjell të dhënat nga viti qe shkoi. 800 milionë buxhet i Kosovës i mbajtur peng në një periudhë me inflacion. Ju lutem a quhet sukses ky devalvim i parasë. Nëse keni lexuar diku që është quajt sukses një gjë e tillë, nuk e di kush iu ka mësuar dhe po iu mashtron se kjo është sukses. Ti ke strategji perfide, po do me i lodhë njerëzit, komunat, sipërmarrësit po dëshiron t’i kthesh në sllavë dhe të varen nga ti me lëmoshë. Unë po i dëgjoj këto rrenat për suksesin ekonomik. Kujt iu është rritur fuqia blerëse në Kuvend? Nuk e kuptoj pse ia ke marrë inatin shtetit tënd.”, ka shtuar ai.