Deri dje pak kush kishte dëgjuar për këtë shkollë.

Por, prania e kryeministrit Albin Kurti i dha jehonë rihapjes së shkollës fillore “Ali Hadri” në Obranqë të Podujevës.

Pas 3 vitesh udhëtim për në fshatin Peran ku ndoqën mësimin në shkollën me të njëjtin emër, nxënësit e Obranqës më nuk duhet të kenë gajlen e udhëtimit.

Mirëpo jehonë më të madhe se rihapja e këtij institucioni pati gabimi i të parit të Qeverisë në zgjidhjen e një ekuacioni me një të panjohur.

Aftësitë matematikore të Kryeministrit nuk i hodhi poshtë drejtori i shkollës, i cili arsyetoi gabimin.

“Sekondi, emocioni, ai tha po e vuj 5-sshe që ju të vazhdoni të gjithë me 5-sshe,” tha Fatmir Halimi – Drejtor i Shkollës “Ali Hadri”, Podujevë.

Shkolla fillore “Ali Hadri” ka nga një paralele prej secilës klasë, ku vijojnë mësimin nga ora 08:00 deri në 13:15.

Teksa Fatmir Halimi ishte i kënaqur me rikthimin në fshat.

“Ndjehem shumë mirë e komod, pasi më jipet mundësia që punën time si menaxher ta kem më të lehtë,” shtoi Halimi.

Kryeministri Albin Kurti pasdite u kërkoi falje fëmijëve që e zgjodhi gabimisht detyrën, e pos në Kosovë lajm kjo u bë edhe në media ndërkombëtare.