Bilanci i viktimave nga zjarri që përfshiu një traget në Filipine këtë javë ka shkuar në 76, ndërsa disa persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Roja Bregdetare e Filipineve njoftoi se ka nxjerrë 41 trupa nga rrënojat e tragetit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 76.
Më shumë se 130 persona ndodheshin në bordin e tragetit MV June Aster, kur zjarri shpërtheu të mërkurën, teksa anija po i afrohej destinacionit të saj, zonës turistike të Coron, pasi ishte nisur nga Manila.
Roja Bregdetare tha të shtunën se numri i të mbijetuarve mbetet 43, ndërsa shumë prej tyre po marrin trajtim në spital. Megjithatë, 13 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur.
Operacionet për nxjerrjen e trupave u penguan nga tymrat toksikë dhe nxehtësia e mbetur në anije, duke bërë që autoritetet të mos mund të hipnin në traget deri të premten.
Geronimo Tuvilla, zyrtar i Rojës Bregdetare të Filipineve, tha se prioriteti kryesor është identifikimi i viktimave dhe përcaktimi i shkakut të zjarrit.
Kristine Ablana, zyrtare e turizmit në Coron, tha se familjarëve po u kërkohet të ndihmojnë në identifikimin e të afërmve përmes sendeve personale dhe analizave të ADN-së.
“Pasi dikush të jetë në gjendje të verifikojë se kjo fotografi ose këto sende i përkasin vërtet të afërmit të tyre, atyre do t’u kërkohet të japin një mostër ADN-je”, tha ajo.
Zëdhënësja e Rojës Bregdetare, Komodorja Noemie Cayabyab, tha se zjarri nisi në një hapësirë ngarkesash dhe më pas u përhap.
Ajo tha se të mbijetuarit kishin përshkruar një shpërthim të fuqishëm, “shfaqjen e tymit dhe më pas të zjarrit. Ai u përhap shumë shpejt”. Sipas saj, personat që arritën të largoheshin nga anija nuk patën kohë të vendosnin jelekët e shpëtimit.
Një i mbijetuar, i cili u shpëtua nga një varkë emergjence, i tha BBC-së se kishte dëgjuar britma të dëshpëruara në bord kur shpërtheu zjarri dhe se ishte shkelur nga njerëzit e kapluar nga paniku, ndërsa përpiqej të largohej nga anija.
