Shkoza për aksionin e policisë: Krimi nuk njeh etni, asnjëherë nuk ka qenë i destabilizuar
Avokati Armend Shkoza në emisionin FIVE në RTV Dukagjini në një linjë të drejtpërdrejte ka folur lidhur me aksionin e policisë kundër krimit në veri dhe jug të Kosovës ku u arrestuan 16 persona. Ai ka thënë se edhe nëse shihet në historik raportet ndëretnike kriminale asnjëherë nuk kanë qenë të destabilizuara. ’’Pasi që aty […]
Avokati Armend Shkoza në emisionin FIVE në RTV Dukagjini në një linjë të drejtpërdrejte ka folur lidhur me aksionin e policisë kundër krimit në veri dhe jug të Kosovës ku u arrestuan 16 persona.
Ai ka thënë se edhe nëse shihet në historik raportet ndëretnike kriminale asnjëherë nuk kanë qenë të destabilizuara.
’’Pasi që aty nuk ka të bëjë as aspekti politik e as kombëtarë, mirëpo tërësisht janë interesa partikulare dhe individuale që e kanë synimin e përfitimit të kundërligjshëm përmes veprimtarisë kriminale’’, ka thënë ai duke shtuar se një gjë e tillë nuk përbën çudi.
Aksioni i policisë ishte gjithëpërfshirës dhe sipas Shkozës nga ajo që dihet deri më tani kemi të bëjmë me vepra penale të cilat janë të cilësuara të krimit të organizuar.
’’Mund ta them se është një dëshmi kogja e rëndësishme që veprimet policore dhe prokuroriale nuk kanë të bëjnë me prapavijë apo motive etnike mirëpo motivi kryesor është luftimi i kundërligjshmërisë’’, ka thënë ai.
Më tej ai ka shtuar se situata ndër vite që ishte krijuar në Mitrovicë përkatësisht në veri të vendit ka qenë e përshtatshme për veprimtari kriminale dhe kontrabandë andaj tani duhet të ndërmerren masa shtesë e përforcuese për mbikëqyrjen e brezit kufitar sidomos me Serbinë.















