Koalicioni i organizatave joqeveritare (IKD, FOL dhe INPO), në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, ka mbajtur tryezën “Reforma në drejtësi”.

Betim Musliu nga IKD ka thënë se është dëshpëruese që në këtë tryezë nuk po marrin pjesë përfaqësues të pushtet, që sipas tij, nuk janë të gatshëm që të ballafaqohen me temat për reformat në sistemin e drejtësisë.

Ai ka thënë se ka pasur dështime të projektligjeve që janë miratuar në Kuvend dhe se reforma ka mbetur në udhëkryq.

“Kemi pakënaqësi dhe kritikë të institucioneve që për fat të keq nuk janë pjesë e këtij paneli përkundër konfirmimit që i kanë bërë. Kjo Qeveri që është në pushtet, një ndër premtimet që i ka pasur ka qenë pikërisht drejtësia, reforma e shumëpritur e nevojshme në sistemin e drejtësisë. Kjo tash është dëshpëruese, kur i kemi në pushet nuk i kemi të gatshëm të vijnë të ballafaqohen me temat për reformat në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar ai.

“Kemi pasur dështime të projektligjeve që janë miratuar në Kuvend e sot reformën e kanë lënë në një udhëkryq të madh dhe ka nevojë të jepet një rrugëzgjidhje, por kjo rrugëzgjidhje nuk po dihet ende cila do të jetë”, ka thënë tutje ai.

Edhe Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresh e Lëvizjes “FOL”, pati kritika për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve në tryezë, ndonëse tha se erdhën në pushtet duke proklamuar ndryshime, ato nuk po ndodhin.

“Është një fatkeqësi që na mungojnë përfaqësuesit e institucioneve tona. Erdhën në pushtet duke premtuar, por çfarë kemi parë gjatë këtyre vite, le shumë për të dëshiruar. Pavarësisht disa ndryshimeve, e kemi një institucion që i janë shtuar punët, por nuk kemi një gatishmëri të kësaj Qeverie ta rrisë buxhetin në këtë institucion”, ka deklaruar ajo.

“Mund të them se mund të jetë një proces i dështuar nëse vazhdojnë kështu. Si përmbledhje, reforma e shumë premtuar nga kjo Qeveri mund të them qe është reformë e dështuar”, ka thënë tutje ajo, transmeton EO.

Ndërkaq, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka deklaruar se Qeveria nuk ka punuar në luftën kundër korrupsionin edhe pse sa ishte në opozitë vazhdimisht kritikonte për këtë, raporton EO.

Ai ka deklaruar se Qeveria duhet që të bëjë reforma në përputhje me Kushtetutën dhe që të mos dështojnë.

“Në asnjë rast nuk e shohim reformën në drejtësi, as premtimet në reformat të mëdha as në fusha tjera. Tre vite ka ardhur kjo Qeveri dhe nuk ka luftë kundër korrupsionit, po flasim në premtimin që ka qenë në boshtin e kësaj Qeverie. Vettingu duhet pasur parasysh amendamentet janë në Gjykatën Kushtetuese. I takon qeverisë që reformat t’i bëjë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj të mos dështojnë”, ka thënë Shala.