Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri pritet të zgjasë disa muaj

Njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj

Komisioni Qendror Zgjedhor është ende në procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve aktual.

Në KQZ thonë se ky proces do të marrë kohë, pasi të dhënat që i kanë pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të ketë ndonjë datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i verifikimit. Në anën tjetër, partia në pushtet, por edhe njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj.

“Ky proces do të na marrë kohë, pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë ministrinë, kryesuesit e Kuvendeve Komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së, do të bëhet edhe publike”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm nëse arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit. Nuk përmend ndonjë afat se kur do të mund të mbahen ato.

Ish-kryetari i KQZ-së, njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ndërkaq thotë se nëse nuk arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit, procesi për zgjedhjet në veri do të dështojë. Sipas tij, deri në shpalljen e zgjedhjeve do të nevojiten disa muaj kohë.

Sipas udhëzimit administrativ, nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet ta mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejta vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri na 45 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme në veri.

Kryetarët shqiptarë të komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovë./KP

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika