Të paktën një person ka humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi në një rezervuar kimikatesh në një fabrikë paketimi në Uashington.
Sipas autoriteteve lokale, shpërthimi ndodhi në fabrikën Nippon Dynawave Packaging, ndërsa mes të lënduarve janë tetë punonjës dhe një zjarrfikës. Disa prej tyre kanë pësuar djegie kimike, ndërsa zyrtarët thanë se shumica e lëndimeve konsiderohen serioze dhe kërcënuese për jetën.
Departamenti i zjarrfikësve në Longview bëri të ditur se nëntë persona, të gjithë punonjës të uzinës, rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas hetimeve fillestare, incidenti ndodhi në një rezervuar që përmbante “lëng të bardhë”, një tretësirë kimike që përdoret në industrinë e letrës.
Autoritetet thanë se vendi i ngjarjes mbetet në fazën e rikuperimit, ndërsa ekipet emergjente po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Për momentin nuk janë bërë publike identitetet e viktimave dhe të plagosurve, deri në njoftimin e familjarëve.
Pas shpërthimit, substanca kimike u derdh në një kanal kullues, çka bëri që autoritetet mjedisore të dërgojnë ekipe për të vlerësuar ndikimin. Megjithatë, zyrtarët thanë se aktualisht nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për komunitetin përreth, edhe pse qytetarëve u është kërkuar të shmangin zonën.