Në një lokal i cili dyshohet të jetë i deputetit të Listës Serbe, Zoran Maksimoviq, ka shpërthyer një mjet shpërthyes.

Lajmin për Portalin Dukagjini e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Me datën 06.08.2023 rreth orës 14:15, Stacioni i Policisë Ranillug ka pranuar informacion se te lokali i quajtur ‘Kod Maksi’ pronë e Z.M. (mashkull, kosovar serb) dyshohej se ka shpërthyer një mjet shpërthyes. Rasti dyshohet të ketë ndodhur më datë: 05.08.2023 rreth orës 22:45”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Hashanit, nga ky shpërthim nuk ka pësuar lëndime asnjë person, por vetëm dëme materiale të vogla.

“Njësitet policore relevante patrulluese, hetues nga Stacioni Policor Ranillugë, hetues rajonalë duke përfshirë Krim Teknikën Rajonale dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive, i janë përgjigjur rastit. Nga vendi i ngjarjes është raportuar se nga ky rast lëndime trupore nuk ka pësuar askush përpos disa dëmeve të vogla materiale”, ka thënë ai.

Pronari i lokalit sipas Hashanit “nuk është takuar nga policia, pasi i njëjti për momentin gjendet në pushime jashtë Republikës së Kosovës”.

Rrethanat se si ka ndodhur rasti, sipas tij, do të vazhdojnë të hetohen nga Hetues Rajonalë të Policisë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.​