Shpërthim në një veturë në Gjilan, Policia dyshon për mjet shpërthyes – një i plagosur rëndë

Një person ka mbetur i lënduar rëndë, ndërsa një grua ka pësuar lëndime të lehta si pasojë e një shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në një veturë në rrugën “Lufta e Gjilanit” në Gjilan.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për TV Dukagjinin se rreth orës 21:45 policia ka pranuar një njoftim për një detonim në një automjet.

“Rreth orës 21:45 kemi pranuar një informatë përmes telefonit se në rrugën ‘Lufta e Gjilanit’ në Gjilan ka ndodhur një detonim në një veturë. Menjëherë patrullat policore i janë përgjigjur thirrjes duke dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Hashani.

Ai tha se hetimet e para tregojnë se automjeti dyshohet të jetë dëmtuar nga një mjet shpërthyes.

“Nga hetimet e para mësohet se një veturë është dëmtuar, ndërsa dyshohet se dëmtimet janë shkaktuar nga një mjet shpërthyes. Në veturë kanë qenë dy persona, vozitësi dhe një pasagjere. Vozitësi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa pasagjerja ka pësuar lëndime të lehta”, ka thënë ai.

Sipas Hashanit, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori kujdestar i shtetit.

“Për momentin nuk dihen motivet e këtij rasti të rëndë. Hetimet janë në vazhdim”, ka përfunduar Hashani.

Të fundit nga rubrika