Shpërthimi në Kçiq, 4 persona në gjendje të rëndë, 10-vjeçarja dërgohet në Suedi
Rrethi i ngushtë i familjes Brahimi ishin mbledhur për ta pritur më të moshuarën e shtëpisë e cila sapo ishte liruar nga spitali. 17 anëtarë të së njëjtës familje të shtunën po drekonin në këtë shtëpi në kodrinën e fshatit Kçiq i Madh në Mitrovicë. Rrreth orës 16:30, ata u tronditën nga një shpërthim që […]
Rrethi i ngushtë i familjes Brahimi ishin mbledhur për ta pritur më të moshuarën e shtëpisë e cila sapo ishte liruar nga spitali.
17 anëtarë të së njëjtës familje të shtunën po drekonin në këtë shtëpi në kodrinën e fshatit Kçiq i Madh në Mitrovicë.
Rrreth orës 16:30, ata u tronditën nga një shpërthim që për nga pasojat që la, më shumë i ngjanë sulmit nga ndonjë predhë sesa një shpërthimi brenda kuzhinës.
15 anëtarë të familjes Brahimi mbetën të lënduar me plagë e djegie të ndryshme, për pasojë katër janë në gjendje më të rëndë.
Shpërthimi që tronditi lagjen, përpos katit përdhesë e ka shkatërruar pothuajse tërësisht edhe katin e parë. Të gjitha dritaret e dyert janë të demoluar, përfshirë edhe orenditë në shtëpi, madje fuqia e madhe e shkëputi nga muret edhe fasadën e shtëpisë. Të afërmit e të lënduarve me aq sa po munden po e pastrojnë terrenin dhe po i heqin pjesët e rrezikshme, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me rrymën.
Familjari Afrim Brahimi tregon se bombola që shpërtheu nuk ishte në përdorim, të paktën kështu i ka rrëfyer kryefamiljarja e shtëpisë pas lirimit nga spitali.
“Ajo ka qenë duke e ushqyer vjehrrën e saj, në një tjetër dhomë në katin e parë kurse të tjerët kanë qenë duke u ushqyer në darkë në podrum edhe boca (bombola) ka shpërthyer në podrum. Edhe të gjithë ata të plagosurit shkallëve përpjetë kanë dalur lartë, kur kanë dalur në ajër më të ftohtë kanë fillu disa me u alivanos, disa me djegie shumë të mëdhaja”, ka deklaruar Afrim Brahimi, Familjar.
Për të lënduarit po ofrohet përkujdesje në Qendrën Klinike Universitare, me ç’rast 8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, 2 pacientë në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 sipas SHSKUK-së do të transferohet në Kirurgji Torkale.
Ndërkohë 4 të lënduar po mbahen në Mjekimin Intensiv Qendror.
“Dy prej tyre i kemi në gjendje më të rëndë, njëra është një vajzë dikur 10-11 vjeçare e cila pritet që sot pasdite të transferohet në Suedi pasi që ka edhe nënshtetësi suedeze dhe ka sigurim në shtetin suedez. Është shumë mirë që po transferohet sepsë është përqindje e madhe (e djegies së trupit) dhe duhet të trajtohet në një qendër të specializuar për djegie që nuk e kemi as ne e as Rajoni”, ka sqaruar Agreta Gashi, Mjeke kujdestare në Mjekim Intensiv Qendror.
Rasti nga Policia është cilësuar “SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM”, ndërsa kanë treguar se po punojnë për të gjetur shkaktarët e shpërthimit.
“Kçiq i Madh, Mitrovicë Jugu / 13.01.2024 – 16:35. Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kanë dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.
Në Kosovë nuk janë të rralla rastet e shpërthimit të bombolave të gazit në shtëpi private e biznese kryesisht në gastronomi. Ndër rastet më të rënda ishte ai i 5 janarit 2021 në qendër të Ferizajt, ku nga shpërthimit i bombolës së gazit mbetën të lënduar 44 persona dhe muaj më vonë në spitalet e Turqisë vdiq pronari i restaurantit ku ndodhi shpërthimi.















