Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka përshëndetur aktin e të riut shqiptar Elton Zefi, i cili pak ditë më parë shpëtoi një të moshuar, makina e të cilit ra në lumë dhe ai rrezikoi të mbytej.

Shefja e Qeverisë Italiane shkroi në Instagram se jeta e të moshuarit arriti të shpëtohej falë guximit dhe altruizmit të të riut shqiptar.

“Një jetë e shpëtuar fal guximit dhe altruizmit të atyre që zgjodhën të ndërhyjnë. Heronj”, shkruan Meloni.

Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00. Giuseppe Salvalajo, një sipërmarrës i njohur padovan dhe themelues i një kompanie të specializuar në restaurime arkitektonike, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal për arsye ende të paqarta. Automjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda, në gjendje shoku.

Në atë çast, Elton Zefi, i cili atë ditë festonte ditëlindjen, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë, bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë. Ata tentuan fillimisht të thyenin xhamat e makinës, por pa sukses.

Zefi tregoi më pas se kishte arritur të dallonte dorën e të moshuarit nga sedilja e pasme, ku xhami kishte mbetur i hapur. Aty ai kuptoi se kishte shpresë. Pas disa përpjekjesh, i lodhur, me këmbët e mpira nga të ftohtit dhe duke rrezikuar të mbytej edhe vetë, ai vendosi të bëjë dhe një përpjekje të fundit.

Dhe ajo përpjekje u shpërblye. 85-vjeçari arriti të dilte nga makina dhe të nxirrej në breg. Pak çaste më vonë mbërritën edhe ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa gjithë momenti u regjistrua në një video që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale.

Burri i moshuar u transportua në spital, ku mori kujdes mjekësor dhe është tashmë jashtë rrezikut për jetën./A2