Shpresa e Vëllaznimit quhet “Harris”
Kur në semafor numrat nuk janë në favor të KB Vëllaznimit, heshtja mbizotëron në palestrën “Shani Nushi”. Pa frikë, i qetë, me shumë vetëbesim topin për të nisur një aksion të ri e rrëmben Jordan Harris. Brenda sekondave atmosfera e ultrasve ndërron. Në sallë të gjithë e brohorasin emrin e tij. Pa ju dridhur dora, […]
Kur në semafor numrat nuk janë në favor të KB Vëllaznimit, heshtja mbizotëron në palestrën “Shani Nushi”.
Pa frikë, i qetë, me shumë vetëbesim topin për të nisur një aksion të ri e rrëmben Jordan Harris.
Brenda sekondave atmosfera e ultrasve ndërron. Në sallë të gjithë e brohorasin emrin e tij. Pa ju dridhur dora, me shumë klas, Harris dhuron tre pikësh. Ai është shpresa e fundit e gjakovarëve.

Në një intervistë për RTV Dukagjinin, basketbollisti amerikan ka rrëfyer për mirkpritjen e ngrohtë që i dhuruan në Kosovë, qëllimet me Vëllaznimin , dhe për emocionet që i dhuron fanella kuq e zi.
“Unë nuk ndjej asgjë tjetër përpos dashurisë për Gjakovën. Të gjithë njerëzit më kanë dhuruar mikpritje të ngrohtë mua dhe famijes time. Jam i mësuar të jetoj larg nga shtëpia dhe për mua tashmë nuk është e vështirë kjo”, tha Jordan fillimisht.
Këmbëshpejti beson që Vëllaznimi do të “mbijetojë” në Superligë në këtë sezon.

“Po, mendoj që Vëllaznimi do të qëndrojë në elitën e basketbollit kosovar dhe do të jetë ekip tejet konkurues”.
Teksa, për atmsoferën në “Shani Nushi” ai tha se është më e zjarrta që e ka përjetuar gjatë karrierës së tij.
“Të luash në ‘Shani Nushi’ është e jashtëzakonshme. Është atmosfera më e mirë në të cilën kam luajtur gjatë karrierës sime. Tifozët kanë shumë pasion për lojën dhe dëshirojnë që të fitojnë. Ata janë të zhurmshëm gjatë tërë ndeshjes dhe kjo e bën më të lehtë për ne lojtarët. Ata na ushqejnë me energji të mirë dhe e bëjnë lojën më interesante” – rrëfeu ai.
Për fund, Harris tha “faleminderit të gjithë tifozëve për përkrahjen dhe dashurinë që na dhuroni”.

Amerikani – paraqitjen më të mirë në tokën dardan pa asnjë dyshim e dhuroi ndaj Ponte Prizrenit ku shënoi 35 pikë, asistoi gjashtë herë dhe pati katër kërcime – duke u shpallur MVP i xhiros së 20-të.
Sa i përket tabelës, Vëllaznimi gjendet në pozitën e gjashtë në tabelë me 29 pikë të grumbulluara, me tetë fitore të arkëtuara dhe 13-të humbje të pësuara.















