Shqipëria për Zelenskyn në Serbi: Kosova nuk mund të barazohet me Ukrainën

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për vizitën e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenksyy në Serbi dhe takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Në reagimin e Ministrisë së Jashtme, thuhet që vizita e presidentit Zelenskyy në Serbi i shërben, para së gjithash, interesave të Ukrainës

Në njoftimin e saj, ministria thekson se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe perspektivën evropiane të Ukrainës, ashtu siç mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Çdo përpjekje për të tërhequr një paralele ose për të vendosur një ekuacion mes Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Sipas ministrisë, çështja e Kosovës qëndron mbi baza të veçanta historike, politike dhe juridike. Në këtë kontekst, Tirana i referohet opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ndërkohë, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, sipas ministrisë, përbën një çështje krejtësisht tjetër dhe paraqet shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon pranim të realitetit dhe pakthyeshmëri të pavarësisë së Kosovës”, thekson ministria.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Serbia dhe Kosova i përkasin një të ardhmeje të përbashkët evropiane dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, deri në njohjen reciproke, do të kontribuonte në pajtimin, fqinjësinë e mirë dhe paqen e qëndrueshme në rajon.

Sa i përket vizitës së presidentit Zelenskyy në Serbi, Ministria e Jashtme shqiptare vlerëson se ajo, para së gjithash, avancon interesat e Ukrainës, por njëkohësisht mund të krijojë mundësi që Serbia të largohet nga ndikimi rus dhe të afrohet më shumë me Evropën.

“Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara, jo prapa”, përfundon njoftimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika