Shqipëria voton, qytetarët shpresojnë për zhvillim ekonomik
2 mijë e 46 kandidatë kanë qenë në garë për 140 vendet në Parlamentin e Shqipërisë, në procesin zgjedhor të kësaj të diele. Në një proces dinamik që filloi në mbi 90 % të qendrave në kohën e zakonshme në 7 të mëngjesit, të drejtë vote patën mbi 3 milionë e 700 shqiptarë. Orët e […]
2 mijë e 46 kandidatë kanë qenë në garë për 140 vendet në Parlamentin e Shqipërisë, në procesin zgjedhor të kësaj të diele.
Në një proces dinamik që filloi në mbi 90 % të qendrave në kohën e zakonshme në 7 të mëngjesit, të drejtë vote patën mbi 3 milionë e 700 shqiptarë.
Orët e para të mëngjesit, qytetarët nuk ishin shumë të interesuar për të kryer obligimin e tyre, me një përqindje që sipas KQZ-së, deri në orën 10 nuk e prekte as 2 % shinë e votuesve.
Gjatë kësaj periudhe, të drejtën e tij të votës e shfrytëzoi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, që kërkon mandatin e 4-t me radhë.
Ai pas kësaj ishte i shkurtër para gazetarëve.
“Të presim çfarë do të thotë populli”, ka deklaruar Edi Rama, kandidat për kryeministër nga PS.
Kurse në një shkollë me emrin ‘‘Kosova‘‘ afër vendbanimit të tij në Tiranë, të drejtën e votës e shfrytëzoi edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, që është në koalicion me Partinë e Lirisë të Ilir Metës, të quajtur “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Ai kërkoi nga qytetarët të dalin dhe të votojnë.
“Unë takova njerëz të gëzuar, të sigurt në votën e tyre, pra do të kemi një ditë të dytë vere, do të kemi një ditë të dytë vere. Edhe një herë, thirrja ime: dilni, votoni, votoni”, ka deklaruar Sali Berisha, kandidat për kryeministër nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Të njëjtën thirrje patën edhe kandidatë të partive më të vogla që këtë vit synojnë të marrin ulëse në Parlamentin Shqiptar.
Ndërkaq, presidenti shqiptar, Bajram Begaj, kërkoi një proces të qetë zgjedhor.
Qytetarët, thanë që nga këto zgjedhje presin përmirësim të gjendjes ekonomike dhe vazhdim të rrugës euroatlantike.
“Janë provuar këto parti dhe nuk japin ndryshim. Edhe individët, këto partitë e reja dhe individët e rinj që pretendojnë në këto votime, më së shumti mund të marrin një karrige për vete.”
“Te qytetarët ka probleme shumë. Sipas mundësive që ka qeveria, duhet të përkrahet sidomos shtresa më e varfër. Buxheti i shtetit duhet të ndahet më shumë për shtresën e varfër.”
“Gjëja më e rëndësishme, sipas meje, janë rrogat për ata njerëz që jetojnë këtu, për pensionistët sidomos, dhe të shfrytëzohet dhe punohet më shumë turizmi.”
Procesi i votimit është përcjellë me një sërë incidentesh, të cilat kryesisht kanë qenë përplasje verbale mes qytetarëve dhe kandidatëve nëpër qendra votimi, dyshime për presion ndaj votuesve afër qendrave të votimit dhe persona të paautorizuar brenda tyre.
Këtë proces janë duke e monitoruar edhe organizata ndërkombëtare, ndërkaq, edhe SPAK ka autorizuar dhjetëra prokurorë në këtë proces zgjedhor, të cilët kanë zbarkuar në disa rajone të ndryshme.















