ShSKUK: Furnizimi me barna në Onkologji rreth 80% – procedurat e prokurimit janë në proces
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se furnizimi me barna dhe material shpenzues në Klinikën e Onkologjisë aktualisht është në nivelin rreth 80%, krahasuar me periudhat e mëparshme kur furnizimi ishte në nivelin 90%. Sipas ShSKUK-së, produktet që mungojnë janë tashmë në procedurë të prokurimit. Për disa prej tyre nuk ka […]
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se furnizimi me barna dhe material shpenzues në Klinikën e Onkologjisë aktualisht është në nivelin rreth 80%, krahasuar me periudhat e mëparshme kur furnizimi ishte në nivelin 90%.
Sipas ShSKUK-së, produktet që mungojnë janë tashmë në procedurë të prokurimit. Për disa prej tyre nuk ka pasur fare ofertues, duke shkaktuar vonesa në sigurimin e furnizimit. Megjithatë, të gjitha procedurat janë riinicuar, dhe pritet që shumë shpejt të sigurohen edhe artikujt që aktualisht mungojnë.
Sa i përket shërbimeve të dializës, ShSKUK thekson se nuk ka pasur asnjëherë ndërprerje në punë. Ky shërbim po vazhdon të funksionojë normalisht, si në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ashtu edhe në spitalet e përgjithshme të vendit.
Në lidhje me raportimet mediale për mungesa të tjera, ShSKUK bën të ditur se për një pjesë të konsiderueshme të artikujve tashmë janë lidhur kontratat për furnizim, dhe procesi pritet të realizohet së shpejti.
Ndërkohë, disa nga lëndët e prokurimit mbeten ende në shqyrtim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), çka po shkakton vonesa në sigurimin e furnizimeve të nevojshme.
ShSKUK garanton se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të përmirësuar furnizimin dhe për të siguruar trajtim të pandërprerë për pacientët në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.















