Shtatë raste të armëmbajtjes pa leje janë raportuar në Kosovë gjatë 12 gushtit, ndërsa në gjashtë prej tyre personat e dyshuar janë arrestuar ose shoqëruar në polici.
Në Skenderaj, një burrë kosovar është arrestuar pasi dyshohet se gjatë një ahengu ka shtënë me armë zjarri. Nga ai është sekuestruar një revole, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Pejë janë raportuar dy raste. Në një aheng familjar në Brigadën “Adrian Krasniqi”, një i dyshuar është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë. Arma është gjetur dhe konfiskuar nga policia, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës, një tjetër person është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Policia ka sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë, një fishek dhe dy gëzhoja. I dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.
Në Prizren, një burrë kosovar është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Nga ai është sekuestruar një pistoletë me gaz dhe tre fishekë, ndërsa është dërguar në mbajtje.
Në Ferizaj, gjatë kontrollit te një i dyshuar janë gjetur një revole dhe 10 fishekë. Sipas Policisë, arma ishte e regjistruar me një leje në emër të prindit të të dyshuarit, por leja kishte skaduar. Rasti është iniciuar për armëmbajtje pa leje.
Në Prishtinë, në Zonën Industriale, një burrë kosovar është arrestuar pasi dyshohet se ka shtënë me armë nga vetura. Policia ka sekuestruar një pistoletë me shtatë fishekë, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në fshatin Lupq i Poshtëm të Podujevës, një person është shoqëruar në stacion policor pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur një pushkë gjysmë-automatike me 13 fishekë.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Në shumicën e rasteve, armët dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa procedurat ndaj të dyshuarve po zhvillohen në koordinim me prokurorinë.