Policia e Kosovës ka regjistruar shtatë raste të dhunës në familje në raportin e fundit 24-orësh, të shtrira në komunat Prishtinë, Pejë, Malishevë, Vushtrri dhe Mitrovicë e Jugut.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj, ndërsa rasti mbetet nën hetime dhe ende nuk ka të arrestuar.
Po ashtu, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait dhe vëllait të tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në Pejë janë raportuar dy raste të tjera.
Një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, ndërsa pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në një rast tjetër, një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga babai i tij pas një mosmarrëveshjeje familjare. Me urdhër të prokurorit, palët janë liruar në procedurë të rregullt.
Edhe në Malishevë është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një e mitur dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy vëllezërit e saj të mitur. Pas intervistimit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Në Vushtrri, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa në Mitrovicën e Jugut është raportuar se një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti pas një mosmarrëveshjeje familjare. Në të dy rastet, palët janë intervistuar dhe, në konsultim me prokurorin, procedurat po vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Të gjitha rastet janë duke u hetuar nga organet kompetente.
