Shtatë vjet nga ndalimi i hyrjes së trenit serb në Kosovë
Beogradi para shtatë vjetësh kishte nisur një tren drejt Kosovës, i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare. Treni ishte nisur pa lejen e Prishtinës, e cila e vlerësoi synimin për hyrjen e tij në Kosovë si provokim dhe shkelje të sovranitetit të saj, andaj edhe nuk […]
Beogradi para shtatë vjetësh kishte nisur një tren drejt Kosovës, i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare.
Treni ishte nisur pa lejen e Prishtinës, e cila e vlerësoi synimin për hyrjen e tij në Kosovë si provokim dhe shkelje të sovranitetit të saj, andaj edhe nuk e lejuan hyrjen e tij.
Nisja e trenit provokues, sipas autoriteteve të Beogradit ishte një “sprovë me synimin për vendosjen e linjës së rregullt Beograd – Mitrovicë”.
Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi ishte i qartë në qëndrimin e tij se treni me afishe nacionaliste nuk duhej lejuar në Kosovë.
“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, pati thënë ai.
Kryeministri i atëhershëm serb Aleksandër Vuçiq akuzoi Prishtinë për provokim, ndërsa ishte ankuar te shefja e asaj kohe e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe se paralajmëroi se do të njoftonte Rusinë, Kinën dhe SHBA për siç tha, ‘faktin se Prishtina po luan lojëra lufte’.
Ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, u pati bërë thirrje të dyja palëve për përmbajtje, duke thënë se ka nevojë për normalizim, e jo për konfrontim.















