Shtëpia e Bardhë: Izraeli do t’i nisë pauzat e përditshme katërorëshe
Izraeli tani do të fillojë të zbatojë “pauza humanitare” katërorëshe në veri të Gazës çdo ditë, për të lejuar njerëzit të largohen, kështu ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, John Kirby, e ka quajtur lëvizjen një hap në drejtimin e duhur dhe ka thënë se ShBA-ja dëshiron që pauzat […]
Izraeli tani do të fillojë të zbatojë “pauza humanitare” katërorëshe në veri të Gazës çdo ditë, për të lejuar njerëzit të largohen, kështu ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, John Kirby, e ka quajtur lëvizjen një hap në drejtimin e duhur dhe ka thënë se ShBA-ja dëshiron që pauzat të vazhdojnë për aq kohë sa të nevojiten.
“Dhe neve na është thënë nga izraelitët se nuk do të ketë operacione ushtarake në këto zona gjatë kohëzgjatjes së pauzës dhe se ky proces po fillon sot,” ka deklaruar ai.
Sipas tij, pauza e parë humanitare do të shpallet këtë të enjte dhe Izraeli është zotuar të shpallë çdo dritare të paktën tre orë përpara.
Më herët, ai ka thënë se ushtria izraelite “ka pauza taktike, lokale për ndihmën humanitare për civilët e Gazës”, dhe e bëri të qartë “nuk ka armëpushim”.
“Amerika ende nuk e mbështet një armëpushim në Gaza në këtë kohë”, ka thënë tutje Kirby, raporton BBC.
Administrata Biden ka siguruar një rrugë të dytë për civilët që të ikin nga luftimet, tha ai.
Ai ka shtuar se SHBA synon të shohë të paktën 150 kamionë humanitarë që hyjnë në Gaza çdo ditë.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit u nxit pasi grupi Hamas më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë 1.400 persona dhe duke marrë pengje mbi 200 të tjerë.
Që atëherë, Izraeli ka sulmuar nga toka dhe ajri Rripin e Gazës, që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.
Izraeli u ka bërë thirrje banorëve në veri të Gazës që të largohen për në jug, përderisa po vazhdon lufta me Hamasin.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden ka thënë se numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës është “me shumë mundësi” më i lartë se numri 10,000 i raportuar nga Ministria e Shëndetësisë e territorit.
Siç raportohet deri më tani gjithsej 10,812 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi.
Ndërsa, sipas kësaj Ministrie, 4 mijë e 412 fëmijë janë në mesin e të vrarëve.















