Përmes një dekreti, Shtetet e Bashkuara kanë nominuar më 1 qershor ambasadorë për në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.
Këto nominime duhet të konfirmohen nga Senati amerikan.
Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, për Bosnje e Hercegovinën është nominuar Ronald Johnson nga shteti i Masaçusetsit për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së.
Për Serbinë është nominuar Michael Young nga shteti i Uhtas.
Ndërsa për Malin e Zi është nominuar Peter McCoy nga Karolina e Jugut.
Sa i përket vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, SHBA-ja ka nominuar po ashtu ambasador për Shqipërinë.
Ndërkaq sa i përket Kosovës, Uashingtoni ende nuk ka ndonjë njoftim, teksa Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.
Në fund të majit të këtij viti, para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan është paraqitur i nominuari për ambasador të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt.
Para senatorëve ai shpalosi prioritetet e tij kryesore nëse zgjidhet ambasador, duke thënë se ato do të jenë mbrojta e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së.
Ndërkaq, sipas njoftimit të 1 qershorit, SHBA-ja ka nominuar edhe ambasadorë për në El Salvador, Azerbajxhan, Mbretërinë e Kamboxhias, Guinenë Ekuatoriale, Moldavi, Indonezi, Bullgari, Republikën e Trinidad dhe Tobagos, Paraguai, Kolumbi, Lituani, Egjipt, Brazil, Ekuador, Gambi, Sierra Leone dhe Kenia.
Procedura e nominimit të ambasadorëve të SHBA-së bazohet në parimin kushtetues të “këshillimit dhe pëlqimit” të Senatit.
Presidenti së pari nominoi kandidatin për ambasador, i cili mund të jetë diplomat karriere ose person i emëruar politikisht. Më pas, nominimi dërgohet në Komitetin e Senatit për Punë të Jashtme, i cili e shqyrton kandidimin.
Komiteti shpesh organizon seanca dëgjimore në të cilat kandidatët për ambasadorë u përgjigjet pyetjeve të senatorëve lidhur me politikën e SHBA-së, vendin ku do të shërbejë si ambasador dhe tema të tjera të rëndësishme. Komiteti voton për nominimin dhe i dërgon rekomandim përbërjes së plotë të Senatit.
Nëse nominimi miratohet, ai më pas dërgohet për votim në Senat.
Vetëm pasi Senati ta konfirmojë kandidatin me shumicë votash, presidenti amerikan e emëron zyrtarisht ambasadorin.
Ambasadori i ri më pas shkon në vendin pritës dhe dorëzon letrat kredenciale te kreu i shtetit, duke e marrë zyrtarisht detyrën.
Ndryshe nga shumë shtete të tjera, ambasadorët e SHBA-së nuk e fillojnë menjëherë detyrën pas nominimit nga presidenti. Konfirmimi nga Senati është një mekanizëm të rëndësishëm kontrolli i pushtetit ekzekutiv dhe shpesh mund të zgjasë me javë ose muaj, veçanërisht nëse ka polemika politike rreth kandidatit./RadioEvropaeLirë