Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja beson se do të ishte “gabim” për Izraelin nëse do të ripushtonte Gazën.

Po ashtu, ai komentuar mundësinë e një pranie ushtarake të Izraelit në Gazë pas përfundimit të konfliktit.

Kirby ka deklaruar se është e pritshme që pas mbarimit të luftës, forcat izraelite të mbajnë prani ushtarake në Gazë për një periudhë kohore dhe të kenë përgjegjësi të sigurisë.

Megjithatë, ai ka shtuar se madhësia dhe afati i kësaj pranie ende nuk janë të qarta.

“Mendoj se të gjithë ne parashikojmë një periudhë kohore pasi të ketë mbaruar konflikti kur forcat izraelite me gjasë do të vazhdojnë të jenë në Gazë dhe do të kenë disa përgjegjësi fillestare të sigurisë. Por, për sa kohë dhe sa do të jetë madhësia [e forcave izraelite], mendoj se është herët të dihet”, ka deklaruar Kirby për CNN më 8 nëntor.

Zëdhënësi i SHBA-së, gjithashtu, ka thënë se administrata e tyre është e përqendruar në hartimin e një strukture afatgjate qeverisëse për Gazën pas konfliktit aktual, por ende nuk ka një plan të përcaktuar për këtë.

“Mendoj se ka shumë pyetje dhe jo shumë përgjigje. Ne e dimë se çfarë nuk duam të shohim në Gazën e pasluftës, ne nuk duam ta shohim Hamasin në kontroll dhe ne nuk duam të shohim një ripushtim nga Izraeli”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka theksuar se SHBA-ja nuk mund të zgjidhë këtë çështje vetëm dhe po kërkon bashkëpunim me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

Ndryshe, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të ketë përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme në Rripin e Gazës pas konfliktit me militantët palestinezë të Hamasit.

Që nga 7 tetorit, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë 1.400 persona dhe marrë peng mbi 200 të tjerë, Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka.

Izraeli ka thënë se synon që të shkatërrojë aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit.

Si pasojë e konfliktit në Rripin e Gazës – shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve – janë vrarë mbi 10.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë territor që kontrollohet nga Hamasi.